Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Prioritetet afatgjata të SHBA-së në Lindje të Mesme sipas Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së 2025

Prioritetet afatgjata të SHBA-së në Lindje të Mesme sipas Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së 2025

Shkruan: Agron Hoti

“Për të paktën gjysmë shekulli, politika e jashtme amerikane i ka dhënë prioritet Lindjes së Mesme mbi të gjitha rajonet e tjera. Arsyet janë të qarta: Lindja e Mesme ka qenë për dekada furnizuesi më i rëndësishëm i energjisë në botë, ka qenë teatri kryesor i konkurrencës mes Superfuqive (v.i. SHBA-BRSS) si dhe një rajon i mbushur me konflikte që kërcënonin të përhapeshin në botën më të gjerë dhe madje edhe në brigjet tona” – Strategjia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së 2025.

Fitorja e kapitalizmit kundrejt komunizmit shënon edhe fitoren ideologjike dhe strategjike SHBA-së në Lindje të Mesme dhe pozicionim më të mirë në rajon sesa BRSS/Rusia, Irani apo Kina. Kjo fitore ka ndikuar që SHBA tash e tutje të përkujdeset që Lindja e Mesme të jetë burim zhvillimi dhe prosperiteti afatgjatë.

Strategjia tregon se lufta mes Superfuqive në Lindje të Mesme tashmë ka përfunduar dhe se burimet energjetike në glob janë diversifikuar, duke mos e lënë më Lindjen e Mesme si furnizuesin kryesor të energjisë në glob. Fakti që SHBA është kthyer në neto eksportues të energjisë, e tregon më së miri rënien e rëndësisë strategjike të ketij rajoni përballë SHBA-së.

Për më tepër SHBA tash e tutje – e mbështetur fuqishëm dhe nga Izraeli si partneri kryesor i saj në Lindje të Mesme – do të kujdeset që demokracia të jetë “organike”, pra të burojë nga vetë Vendet Arabe, gjithnjë duke u bazuar, kështu, në rrethanat dhe mjediset e secilit vend veç e veç, pa imponime nga jashtë. Kjo do të ndihmohet nga ndërtimi i partneriteteve me vendet e rajonit, në mënyrë që krahas demokratizimit të rajonit të kontribuohet dhe në parandalimin dhe luftimin e radikalizmit dhe terrorizmit si dy segmentet për të cilat SHBA ka kujdes të theksuar.

Sigurisht që SHBA do të vazhdojë të përkujdeset që ky rajon mos të bjerë nën ndikimin e ndonjë fuqie armike të Perëndimit, ashtu sikundër që do të përkujdeset që Ngushtica detare e Hormuzit që ndahet mes Iranit dhe Botës Arabe “të ngelet e hapur” dhe e papenguar si dhe Deti i Kuq “të ngelet i navigueshëm” për mallra dhe energji. E tëra kjo është në funksion të lëvizjes së lirë të energjisë që buron në Lindje të Mesme dhe shpërndahet nëpër botë.

Lajmi i mirë për SHBA dhe për ne shqiptarët është se shumica dërmuese e Vendeve Arabe kanë filluar ndërtimin e partneriteteve afatgjata me SHBA. Këtë e ka mundësuar dobësimi Rusisë dhe i Iranit që vazhdon të jetë hapur pro-rus. Çlirimi më i fundit i Sirisë nga Irani është hapi i duhur që solli njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sa më shumë që Siria kthehet nga Perëndimi aq më shumë do të ndikojë në Palestinë, Liban, etj. që ta bëjnë të njëjtën. Gjithsesi një proces paqeje mes Izraelit dhe Palestinës është duke u ndërtuar dhe kjo është duke gjetur mbështetjen edhe te Vendet Arabe dhe Turqia. De-iranizimi i Lindjes së Mesme e ka dobësuar ndjeshëm forcën goditëse të Hamasit terrorist dhe gjithë grupeve tjera terroriste të mbështetura nga Irani.

Demokratizimi dhe bashkëpunimi i Lindjes së Mesme me Perëndimin e kryesuar nga SHBA do ta bëjë këtë rajon me potencial zhvillimor jo vetëm për “naftë e gaz”, por edhe – ndër të tjera – për “energji bërthamore, inteligjencë artificiale dhe teknologji të mbrojtjes”.

Sa më shumë që de-iranizohet Lindja e Mesme, aq më të mëdha do të jenë gjasat e njohjes së pavarësisë së Kosovës edhe nga Iraku, Libani e Palestina si dhe dy shtetet tjera arabe në Afrikën Veriore siç janë Tunizia dhe Maroku. Por nuk duhet harruar asnjëherë që të gjitha këto lëvizje të mëdha gjeopolitike, gjeoekonomike dhe gjeostrategjike, do të ishin dhe do të jenë të pamundura pa kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA-së.