Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Prindërit e fëmijëve të vrarë në “Panda” s’kanë dyshim se urdhri ishte dhënë nga njerëzit në krye të shtetit serb

Prindërit e fëmijëve të vrarë në “Panda” s’kanë dyshim se urdhri ishte dhënë nga njerëzit në krye të shtetit serb

Pas 24 vjet në kërkim të së vërtetës, prindërit e gjashtë të rinjve të vrarë në kafenenë “Panda” të Pejës nuk kanë asnjë dyshim se masakrimi i fëmijëve të tyre ishte urdhëruar nga njerëzit që ishin në krye të shtetit serb.

Në vitin 2013, presidenti serb Aleksandar Vuçiq “ushqeu” dyshimin se shqiptarët nuk janë ata që e kanë kryer këtë krim.

Më 14 dhjetor 1998, dy persona të maskuar me breshëri automatiku vranë Ivan Obradoviqin (15-vjeç), Vukota Gvozdenoviqin (16), Svetislav Ristiqin (18), Zoran Stanojeviq (18), Ivan Radeviq (24) dhe Dragan Trifoviq (18), ndërsa plagosën rëndë Vlad Lonçareviqin (18-vjeç) dhe plagosën lehtë Mirsad Shaboviqin (34-vjeç) dhe Nikola Rajoviqin (18-vjeç).

Deri më 28 dhjetor 2013, familjarët e të vrarëve dhe publiku ishin të bindur se krimi ishte kryer nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Mirëpo, nënkryetari i parë i atëhershëm i Qeverisë së Serbisë dhe shefi i Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, Aleksandar Vuçiq në një emision në TV Pink kishte thënë se, “krimi në ‘Panda’ nuk është kryer nga shqiptarët, siç kemi besuar deri tani.

Publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta”. Vuçiq më vonë u tha gazetarëve se është pothuajse i sigurt se e di se çfarë ka ndodhur në “Panda”, por se “nuk ka asnjë provë” dhe se autoritetet hetuese të Serbisë nuk mund të “krenohen” me mënyrën se si e kanë kryer hetimin.

Prindërit e të rinjve të vrarë thonë se që nga viti 2017 i janë drejtuar mbi dhjetë herë presidentit serb për gjetjet e fajtorëve, por se secila herë ka qenë e kotë.

“Që nga 5 shtatori 2017, më shumë se dhjetë herë i kemi shkruar Zyrës së Presidentit të Serbisë, duke kërkuar bisedë me Vuçiqin, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, thotë Ljubomir Ristiq, babai i të riut Svetislav, i vrarë në “Panda”.

Ristiq shton se që nga 17 shtatori 2017, shtatë herë kanë kërkuar llogari nga Prokuroria për Krim të Organizuar (TOK), por se çdo herë janë refuzuar.

“Duke marrë parasysh se nuk kemi përgjigje nga TOK për kërkesat tona, gjithçka tregon se asgjë nuk është bërë dhe se hetimet janë ndërprerë”, shton ai.

Ai po ashtu thotë se kanë kërkuar nga kjo prokurori që ta marrë në pyetje Vuçiqin për shkak të informatave që ai ka bërë publike lidhur me krimin në “Panda”.

“As kjo nuk është pranuar”, përfundon Ristiq.

Lazar Obradoviq, djali i të cilit i kishte vdekur para syve, thotë se nuk ka të vërtetë tjetër përveç se krimin në “Panda” e ka bërë shteti serb.

Obradoviq beson se nuk ka dëshirë të mësohet se kush e urdhëroi, organizoi dhe kreu masakrën në kafenenë “Panda”, sepse “padyshim është e drejtuar nga një qendër”.

“Të gjitha autoritetet e trajtuan vrasjen e fëmijëve tanë në të njëjtën mënyrë. Është e qartë se është e drejtuar nga një qendër dhe se nuk ka dëshirë të zbulohet se kush e urdhëroi, organizoi dhe kreu masakrën”, thotë Obradoviq.

Njëkohësisht, ai saktëson se prindërit deri më tani kanë folur me dhjetëra nëpunës civilë, si nga policia ashtu edhe nga organet e tjera shtetërore dhe se askush nuk u ka thënë se krimin e kanë kryer shqiptarët, por serbët.

Ai ka shtuar se presin që presidenti i Serbisë t’u tregojë të gjitha njohuritë që ka për rastin “Panda”. Ai pretendon se Shërbimet shtetërore të Sigurisë dhe Vuçiqi e dinë se kush i ka urdhëruar, organizuar dhe vrarë të rinjtë.

“Shërbimet e Sigurisë dhe Vuçiq e dinë se kush i ka urdhëruar, organizuar dhe vrarë fëmijët në ‘Panda’. Është e papranueshme që e vërteta është fshehur për më shumë se 24 vjet dhe që presidenti i Serbisë refuzon të flasë me ne”, përfundon ai.

Ndërsa babai i të vrarës Vukota, Zvonko Gvozdenoviq beson se shteti me këmbëngulje po përpiqet të fshehë krimin e vet.

“Prokuroria deri më tani ka dëgjuar 42 dëshmitarë. Kur nisi hetimi në maj të vitit 2016, ne patëm disa biseda me ushtruesin e detyrës dhe pas çdo takimi kuptuam se shteti po na drejtonte dhe na mashtronte gjithnjë e më shumë. Nga viti 2017, Prokuroria ka refuzuar çdo komunikim me prindërit”, thekson Gvozdenoviq.

Pak ditë pas masakrës në “Panda”, policia arrestoi një grup të shqiptarëve që thuhet se organizuan sulmin. Nikolla Shainoviq, atëherë nënkryetar i Qeverisë Federale i ngarkuar me Kosovën, pati njoftuar se “rasti Panda” është zgjidhur. “Unë thashë atëherë se ‘rasti Panda’ u zgjidh, sepse kështu më tha policia”, pati thënë Shainoviq.

Boro Vlahoviq, ish-kreu i MPB-së në Pejë, ka thënë më herët për Danas se Shërbimi i Sigurimit Shtetëror është përgjegjës për “rastin Panda”, pasi ai ishte një vepër kriminale terrorizmi.

Një grup i shqiptarëve të arrestuar u liruan pasi kaluan disa muaj në paraburgim në Leskovc, pasi nuk kishte prova se ata ishin pjesëmarrës në krim.

Pak ditë para masakrës, televizioni publik i Serbisë për dy ditë radhazi kishte lexuar të ashtuquajturin “njoftim” në lajmet qendrore, kinse UÇK-ja do të sulmojë vendet ku mblidhen të rinjtë serbë. Prokuroria nuk e ka kontrolluar se kush e ka dhënë “njoftim” në RTS dhe kush e ka urdhëruar të lexohet i njëjti informacion për dy net me radhë.

 /TV Arbëria

Powered by WordPress