Princi i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman e ka akuzuar Izraelin për kryerjen e “gjenocidit kolektiv” në Gaza, në disa nga kritikat e tij më të forta ndaj vendit që nga fillimi i luftës vitin e kaluar.
Gjatë një mbledhjeje të liderëve të shteteve islamike të organizuar nga Arabia Saudite në Riad të hënën, udhëheqësi de fakto i vendit tha: “Mbretëria përsërit dënimin dhe refuzimin absolut të gjenocidit kolektiv të kryer nga Izraeli kundër popullit vëlla palestinez”.
Më shumë se 43,000 njerëz janë vrarë në Gaza që kur Izraeli filloi sulmet e tij në enklavë vitin e kaluar. Të martën, të paktën 30 njerëz u vranë në qytetin e Gazës dhe Gazën veriore, me shumë të tjerë ende nën rrënoja, sipas zëdhënësit të Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmoud Basal. CNN ka kërkuar koment nga ushtria izraelite.
Vitin e kaluar Arabia Saudite ishte në procesin e negocimit të një marrëveshjeje historike të normalizimit me Izraelin, por kohët e fundit tha se ajo është “jashtë tavolinës” pa shtetësinë palestineze, një kërkesë e refuzuar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Princi saudit, i njohur gjerësisht me inicialet e tij MBS, mbrojti gjithashtu Iranin – një kontrast i thellë me komentet e tij në vitin 2017 kur e krahasonte Udhëheqësin Suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei me Adolf Hitlerin.
MBS i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që “ta detyrojë Izraelin ta respektojë sovranitetin e Iranit dhe të mos i sulmojë territoret (iraniane). Riadi dhe Teherani i riparuan marrëdhëniet vitin e kaluar pas dekadash armiqësie mbi ndikimin rajonal.
Pa asnjë zgjidhje në horizont për konfliktet rajonale dhe në mes të një procesi normalizimi të ngecur me Izraelin, Arabia Saudite ka ndryshuar mesazhet e saj gjatë vitit të kaluar nga dënimet në akuzimin publik të Izraelit për gjenocid, ndërsa kërkon më shumë mbrojtje ndërkombëtare për Iranin.
Irani dërgoi nënpresidentin e tij të parë, Mohammad Reza Aref në konferencën e Riadit. Ai në fjalimin e tij vajtoi vdekjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe liderëve të Hamasit, Ismail Haniyeh dhe Yahya Sinwar. Arabia Saudite kundërshton fuqishëm milicitë e mbështetura nga Irani si Hezbollahu dhe Hamasi.
Të tjerë që morën pjesë në takimin e nivelit të lartë përfshinin presidentin palestinez Mahmoud Abbas, kryeministrin e përkohshëm libanez Najib Mikati, mbretin Abdullah II të Jordanisë dhe presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sisi.