Qeveria e Kosovës ka prezantuar Programin për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë elektrike, i cili parasheh t’i ndihmojë familjet që janë në gjendje më të rëndë ekonomike, duke ua subvencionuar faturat.
Ky program ka në fokus familjet që kanë të ardhura më pak se 150 euro në muaj për anëtar, ndërsa subvencionimi do të bëhet përmes Ministrisë së Financave.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti derisa tha se programi do të zgjasë një vit, shtoi se fokus të veçantë në këtë program do të kenë grupe të caktuara të shoqërisë, si personat me aftësi të kufizuar prindërit vetushqyes dhe pensionistët që jetojnë vetëm.
“Sot jemi mbledhur këtu që të prezantojmë edhe një program të rëndësishme, atë të Mbrojtjes së Konsumatorëve të Cenueshëm. Programi që po e prezantojmë sot e që do të zbatohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka në fokus subvencionim e faturës së energjisë elektrike për familjet të cilat kualifikohen si konsumator të cenueshëm të energjisë elektrike. Fokus të veçantë në këtë program do të kenë grupe të caktuara të shoqërisë, si personat me aftësi të kufizuar prindërit vetushqyes dhe pensionistët që jetojnë vetëm. Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm është program një vjeçar i cili fokusohet në subvencionim e faturave të energjisë elektrike për konsumatorë e cenueshëm të ardhurat mesatare mujore të të cilëve janë nën 150 euro për anëtar të familjes. Një subvencionim i tillë do të ulë direkt barrën financiare që kanë këto familje nga konsumi i energjisë elektrike, dhe do të sigurojmë njëkohësisht se këto familje do të kenë furnizim të përballueshëm me energji elektrike, sidomos gjatë periudhës së dimrit ku furnizim me energji elektrike është shumë i rëndësishëm”, tha Kurti.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tregoi se cilat familje mund të kualifikohen në këtë program.
“Programi parasheh që të gjitha familjet të cilat mesatarisht kanë më pak se 150 të ardhura mujore për anëtar të familjes. Pra, nëse një familje ka katër anëtar parashihet që nëse ka më pak se 600 euro të ardhura mujore mesatare mund të kualifikohet për programin dhe shuma e subvencionimit pastaj do të varet varësisht më pak sesa pragu i nevojshëm merr. Nëse një familje është me katër anëtar dhe do duhet t’i kishte minimumi 600 euro për t’u konsideruar mbi pragun e varfërisë që është i përllogaritur në pesë euro në ditë mesatar, dhe ka të ardhura prej 300 euro në familje i bie që gjysmën, pra për 50 për qind e përfiton shumën e subvencionit. Nëse nuk ka të ardhura fare, pra është në skema të ndihmës sociale apo në ndonjë formë tjetër, e përfiton subvencionin e plotë, kurse shuma e subvencionit të plotë është paraparë edhe me Ligjin që parashihet të jetë 75 KËh për muaj për anëtar të familjes, mirëpo kemi paraparë që në program të marrin parasysh edhe sezonalitetin, marrë parasysh se muajve të dimrit rritet konsumi i energjisë elektrike për shkak të ngrohjes, është paraparë dhe mundësia që të zhvendoset apo të koncentrohet edhe pagesa e subvencionit gjatë muajve të dimrit, në mënyrë që të jetë më e përballueshme edhe fatura e muajve të dimrit”, tha Murati.
Ndërkaq, sa i përket formularit të aplikimit, Murati tha se gjatë ditëve në vijim do të dalin me njoftime.
Përfaqësuesi nga Bashkimi Evropian, Alessandro Bianciardi, tha se BE-ja është zotuar që të ndihmojë Kosovën në përballje me krizën me energji, për këtë arsyeje edhe po marrin masa që t’iu dalin në ndihmë qytetarëve në këtë drejtim.
“Presim që të kemi përkrahje edhe për panelet solare për prodhimin e energjisë, dhe BE mbetet e zotuar që të ndihmojë Kosovën në efiçiencë të energjisë, që përputhet me zotimet e Komunitetit të Energjisë si dhe me implementimin e Agjendës së Gjelbër… Presim me padurim që të kemi një përkrahje dhe të kemi energjinë më të kapshme për qytetarët tanë”, tha Bianciardi.
Edhe menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Massimiliano Paolucci, u shpreh se do e ndihmojnë Kosovën në të gjitha fushat, jo vetëm për energji elektrike.
“Energjia e shtrydh buxhetin e Kosovës, meqenëse situata është shumë e keqe për ata që jetojnë në kushte të varfërisë, sepse shpenz0jnë shumë për ushqime e energji. Ka programe të cilat luajnë role për mbrojtjen e atyre që janë më të cenueshëm dhe presim që programi i lansuar sot të përfitojnë edhe ata që të përballen më mirë me situatën e sotëm, me inflacionin… Banka Botërore i përkrah të gjitha reformat në Kosovë, dhe aktualisht i përkrah sistemin në skemën sociale dhe rritjen në mënyrë që të ndihmojë edhe për krizën energjetike që po shpaloset n ë Kosovë”, tha Paolucci.
/TV Arbëria