Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla kanë prezantuar prova të reja të grupit terrorist që kreu sulmin më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Hoxha ka prezantuar 5 video të cilat janë nxjerrë nga dronët që ka konfiskuar PK-ja ditë më parë, e ku shihen grupi terrorist duke kryer ushtrime në pronën e Milan Radoiçit.
Më poshtë ua sjellim shpjegimin e plotë të drejtorit të PK-së, Gazmend Hoxha lidhur me videot e prezantuara:
Video numër 1: janë incizimet e datës 26 gusht ku paraqiten imazhe nga Kopaniku ku shihen resortet e hotel “Grey” që është pronë e Milan Radoiçiqit.
Këto pamje janë nxjerri nga dronët që policia i ka sekuestruar pas ballafaqimit dhe ikjes së grupit terrorist nga Banjska.
Video numër 2: incizimet i përkasin datës së 2 shtator po ashtu janë pamje në Kopanik afër hapësirave të pronës së Milan Radoiçiqit. Këto imazhe paraqesin testimet e veshjeve të cilat janë me qëllim të mbulimit të temperaturës së trupit respektivisht kamerave termike që posedojnë dronët. Tentativë për të përdorur pajisje të veçantë që mund të mbulojnë snajperistët.
Video numër 3: janë pamjet e datës 20 shtator, dhe këto janë ushtrimet taktike operative për sulme. Këta ndahen në disa grupe në drejtime të ndryshme, janë të pajisur me armë të gjata, dhe pajisje ushtarake dhe mjete motorike të blinduara sipas pamjeve shihet që grupi ka simuluar sulmin dhe plagosjen e anëtareve të grupit terrorist.
Në pamje shihet se grupi terrorist ka pasur në përdorim dy automjete të blinduara të cilat janë në posedim të forcave ushtarake të Serbisë. Këto blinda janë konfiskuar nga Policia e Kosovës.
Në këto pamje ka edhe të shtëna me armë të gjata, të cilat gjithashtu janë konfiskuar.