Dy femra do merren drejtpërsëdrejti me çështjet e lidhura me Ballkanin Perëndimor në mandatin e ri pesëvjeçar të institucioneve evropiane.
Kaja Kallas, do jetë shefja e ardhshme e diplomacisë evropiane. Në portofolin e saj përfshihet edhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
Ndërsa, zgjerimi i është besuar kandidates nga Sllovenia Marta Kos, e cila për pesë vitet e ardhshme do merret me avancimin e dhjetë shteteve drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka prezantuar kandidatët për komesarët e rinj në mandatin e ardhshëm pesëvjeçar të këtij institucioni.
Në emrat e prezantuar mungon balansi gjinor për çfarë gjithnjë është angazhuar Komisioni Evropian jo vetëm Brenda shteteve të BE-së por edhe jashtë kufijve.
“Siç do ta shihni, tani kemi 11 gra si kandidate për kolegjin që do të prezantoj sot. Kjo është një pjesë prej 40%. Kur mora nominimet e para dhe shikova të gjithë modelin dhe tabelën, ishim në një pikë ku kishim një përqindje prej 22% femra dhe 78% meshkuj. Pra, mund të imagjinoni se kjo ishte krejtësisht e papranueshme. Kështu që punova intensivisht me shtetet anëtare dhe arritëm të përmirësonim përqindjen në 40% femra dhe 60% meshkuj”, tha Ursula von der Leyen, raporton rtk
Ajo tha se të gjithë 26 kandidatët për komesar tani duhet të kalojnë dëgjimet dhe konfirmimet e komiteteve në Parlamentin Evropian, varësisht nga sektori për të cilin janë kandiduar.
Vetëm pas pëlqimit nga ana e Parlamentit Evropian struktura e re e Komisionit Evropian mundet të nisë me punën. Kjo në rastin ideal do të ndodhë deri në fund të këtij viti.
