Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Pretendimet për pengim të administrimit të drejtësisë, dëshmia e Fraser vë në pikëpyetje akuzat ndaj Thaçit

Pretendimet për pengim të administrimit të drejtësisë, dëshmia e Fraser vë në pikëpyetje akuzat ndaj Thaçit

Avokatët dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë vlerësuar se dëshmia e ekspertes së transkriptimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Helen Fraser ka nxjerrë në pah dobësi në pretendimet për pengim të administrimit të drejtësisë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ndërsa pretendimet për trysni ndaj dëshmitares dhe përdorimi i inteligjencës artificiale, sipas tyre, po e forcojnë bindjen për parregullsi dhe padrejtësi në këtë proces.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka përfunduar dëshminë ekspertja e transkriptimit në fushën e kriminalistikës, Helen Fraser, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Avokati Ardian Bajraktari tha se dëshmia e Fraser vetëm sa ka shpërfaqur dobësitë e akuzave të Prokurorisë së Specializuar.

“Natyrisht që përmes dëshmisë së kësaj dëshmitareje, në bindjen time, vetëm është shpërfaqur ajo që kemi thënë që në krye të herës, që këto akuza për sa i përket pengimit të administrimit të drejtësisë, me theks të veçantë në raport me zotin Thaçi, nuk qëndrojnë. Sepse aq më tepër kur kihet parasysh fakti që zoti Thaçi tashmë pesë vite e më shumë është në masën e paraburgimit, ndërsa vepra penale e pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, element esencial ka ushtrimin e kanosjes serioze ose dhunës, gjë e cila natyrisht që në ato rrethana është e pamundur. Prandaj një tentativë, përkatësisht akuza të tilla në bindjen time deri në këtë fazë të procesit, nuk kanë arritur të argumentohen nga ana e Prokurorisë së Specializuar”, tha ai, raporton Ekonomia Online, transmeton Periskopi.

Bajraktari shtoi se detajet e dala gjatë dëshmisë mund të kenë ndikim në ecurinë e procesit gjyqësor.

“Natyrisht, pashmangshëm këto mund të kenë impakt në ecurinë e procesit sepse në rrethana të tilla ndonjëherë janë detajet ato që kanë rol tepër të rëndësishëm në ecurinë e procesit. Prandaj besoj që pala mbrojtëse në mënyrë jashtëzakonisht profesionale po arrin t’i kundërargumentojë suksesshëm pikëpamjet e prokurorisë për sa i përket këtyre pretendimeve”, tha ai.

Avokati tha se pretendimet për trysni ndaj dëshmitares shpërfaqin, sipas tij, qasjen e Prokurorisë së Specializuar.

“Kjo para së gjithash është edhe në radhë të parë, shpërfaq në bindjen time qasjen dhe tendencën që ka pasur Prokuroria e Specializuar në vazhdimësi. E natyrisht që në bindjen time një qasje e tillë është jashtëzakonisht shqetësuese dhe meriton vëmendje, sepse në instancë të fundit nuk ka asnjë justifikim në drejtim të ndërmarrjes së veprimeve të tilla për të ushtruar çfarëdo forme e presionit ose trysnisë në raport me këdo qoftë. Për më tepër prokuroria, çdo prokurori, edhe Prokuroria e Specializuar, është aty për t’i kryer detyrat dhe përgjegjësitë e saj, madje-madje në jo pak raste kemi parë edhe shpërfaqje përkatësisht shkelje edhe të parimeve bazë të drejtësisë, që është fakti që prokurori i specializuar në rastin konkret ka detyrim që t’i marrë në konsideratë edhe provat shfajësuese, gjë e cila në vazhdimësi edhe në rastin e madh, po edhe në këtë kundër administrimit të drejtësisë nga ana e Prokurorisë së Specializuar, nuk është marrë në konsideratë”, deklaroi avokati Bajraktari.