Presidentja, Vjosa Osmani ka kujtuar 25 vjetorin e Masakrës së Pastaselës së Rahovecit dhe atë të Burimit të Malishevës.
Ajo ka thënë se sot nëpërmjet kujtesës refuzojmë që të zbehët historia e të rënëve, raporton Ekonomia Online.
“25-vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në Pastaselë të Rahovecit, vranë dhe masakruan 106 banorë të këtij fshati dhe fshatrave përreth. Në të njëjtën ditë, barbarinë e tij, regjimi kriminal e vazhdoi në Burim të Malishevës, ku u vranë dhe u masakruan 42 civil”, ka thënë Osmani.
“Sot, nëpërmjet kujtesës, ne refuzojmë që me kalimin e kohës të zbehet historia e të rënëve.
Përkundrazi, me vendosmëri dhe përkushtim do të punojmë çdo ditë për ta mbrojtur të vërtetën, për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi për mizoritë e kryera kundër popullit tonë.
Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri”, ka thënë presidentja.