Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Presidentja Osmani zhvillon takim me Papa Leonin XIV, e fton për vizitë në Kosovë

Presidentja Osmani zhvillon takim me Papa Leonin XIV, e fton për vizitë në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një audiencë private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë, të cilën e ka cilësuar si një nder të veçantë.

Duke folur për takimin, Osmani ka bërë të ditur se i ka përcjellë Atit të Shenjtë urimet për fillimin e misionit të tij:

“Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë. Gjatë takimit i përcolla sërish urimet më të përzemërta për fillimin e misionit të tij, si dhe shpresën që pontifikati i tij të sjellë dritë, kurajë dhe mbështetje për njerëzit në nevojë anembanë botës”.

Presidentja ka bërë të ditur se gjatë takimit ka përcjellë edhe një ftesë zyrtare për Papën që të vizitojë Kosovën.

“Përcolla po ashtu ftesën e përzemërt për një vizitë të tij në Republikën e Kosovës, e cila do të pritej me shumë dashamirësi nga të gjithë qytetarët tanë”.

Sipas Osmanit, pjesë e diskutimit ishte edhe roli i Kosovës në ndërtimin e paqes dhe harmonisë ndërfetare:

“Biseduam për rolin e Kosovës, tokës sonë dardane, si vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare mbi përvojën e saj historike të qëndresës dhe sakrificës”.

Ajo ka theksuar se është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit dhe njohjen formale të Kosovës nga Selia e Shenjtë.

“Diskutuam gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit në fusha që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve tanë, me shpresën që Selia e Shenjtë do të marrë së shpejti vendimin e shumëpritur për njohjen formale të Republikës së Kosovës”.

Në fund, Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për forcimin e marrëdhënieve me Vatikanin.

“Kosova mbetet e përkushtuar t’i forcojë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe ta avancojë miqësinë tonë historike, duke u udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë”.

Ajo ka shtuar se, në frymën e Krishtlindjes, janë ndarë dëshira të përbashkëta për paqe dhe harmoni në mbarë botën.