Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Admiralin Stuart B. Munsch, Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli. Gjatë bisedës, Presidentja vlerësoi lartë rolin dhe angazhimin e KFOR-it në garantimin e paqes dhe sigurisë për qytetarët e Kosovës.
Osmani theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it është thelbësor për realizimin e misionit të përbashkët të stabilitetit në vend. Ajo ritheksoi edhe njëherë përkushtimin e Kosovës ndaj integrimit euroatlantik dhe ndërtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s.
Në takim u diskutuan edhe sfidat e sigurisë, veçanërisht në veri të Kosovës, ku Presidentja përmendi kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia dhe rolin jetik të KFOR-it në parandalimin e eskalimeve dhe ruajtjen e paqes.
Në përfundim, Osmani shprehu falënderimet për mbështetjen e NATO-s dhe konfirmoi vendosmërinë e Kosovës për të vazhduar të jetë një partner i besueshëm dhe aktiv në arenën ndërkombëtare demokratike.