Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrjen më flagrante në procesin zgjedhor në Kosovë, duke thënë se Beogradi po tenton të blejë vota dhe të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin e zgjedhjeve lokale që mbahen të dielën.
Në një intervistë për A2 CNN, Osmani theksoi se Lista Serbe, që rikthehet në garë, po mbështetet publikisht nga zyrtarë shtetërorë të Serbisë dhe se janë bërë premtime për vende pune dhe pensione për qytetarët që e votojnë këtë subjekt.
“Është një prej ndërhyrjeve më flagrante që ka ndodhur në proceset zgjedhore në Kosovë… Serbia vazhdimisht nëpërmjet njerëzve që i kontrollojnë në Kosovë kanë ndërhyrë madje edhe kanë përdorur metoda të dhunshme dhe kërcënime ndaj qytetarëve serbë në mënyrë që të marrin vota”, tha ajo.
Osmani theksoi se përmes këtyre veprimeve Serbia po shkel parimin e fqinjësisë së mirë dhe të drejtën ndërkombëtare.
“Tash po e shohim që po tentojnë të bëjnë edhe blerje të votave duke premtuar gjëra që nuk i takojnë Serbisë… kjo është në kundërshtim të plotë me parimin e fqinjësisë së mirë”, shtoi Osmani.
Presidentja la të kuptohet se mungesa e masave ndëshkuese ndërkombëtare ndaj Serbisë po e trimëron atë për të vazhduar me veprime të tilla ilegale.
“Kjo është një shkelje e vazhdueshme… fatkeqësisht nuk është që është ndërmarrë ndonjë masë ndaj Serbisë… dhe pastaj ata po i vazhdojnë këto punë të paligjshme”, deklaroi Osmani.
Ajo nënvizoi se institucionet e sigurisë në Kosovë janë duke bërë përpjekje për të mbrojtur qytetarët serbë nga manipulimet e Beogradit.
“Institucionet tona të sigurisë janë duke bërë çmos që të mbrojnë qytetarët serbë… nga kërcënimet e vazhdueshme… dhe njëkohësisht të drejtën e tyre për votë të lirë,” tha ajo.