Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas incidentit të fundit në kufi, ku forcat serbe kanë plagosur dhe rrëmbyer një qytetar serb të Kosovës. Ajo e ka cilësuar këtë si dëshmi të re të qasjes hegjemoniste dhe represive të regjimit të Aleksandar Vuçiqit.
“Serbia, e cila çdo ditë bën propagandë e dezinformata për të drejtat e serbëve në Kosovë, ka plagosur dhe më pas ka kidnapuar një qytetar serb të Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme,” ka deklaruar Osmani.
Presidentja theksoi se Serbia po rrezikon seriozisht paqen dhe stabilitetin në rajon përmes veprimeve të saj agresive dhe politikës së dhunës ndaj qytetarëve të vet që nuk pajtohen me regjimin.
“Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme të Serbisë që kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajonin tonë,” u shpreh ajo.
Në fund, Osmani bëri thirrje që skena politike në Kosovë të qëndrojë e bashkuar përballë këtyre provokimeve.
“Skena politike në Kosovë duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e Kosovës nga tendenca të tilla,” përfundoi Presidentja.