Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri jorezident të Mbretërisë së Tajlandës në Kosovë, Phrommes Bhaholpolbhayuhasena.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadorit Bhaholpolbhayuhasena dhe theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve. Ajo vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm si një raport të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta.
Ambasadori Bhaholpolbhayuhasena shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Tajlandës, duke përgëzuar Presidenten Osmani për organizimin e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku mori pjesë edhe Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Tajlandës, Lalivan Karnchanachari.
Presidentja rikujtoi vizitën e saj në Tajlandë në vitin 2022, në shënim të dhjetëvjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, duke e cilësuar atë si një moment kyç në thellimin e partneritetit. Ajo përmendi edhe heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës nga Tajlanda, si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e shkëmbimeve ekonomike dhe kulturore.
Në përfundim, Presidentja Osmani riafirmoi gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të avancuar më tej raportet dypalëshe me Mbretërinë e Tajlandës, duke vënë theksin te partneriteti dhe respekti i ndërsjellë.