Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Presidentja Osmani përkujton Mujë Krasniqin dhe 41 dëshmorët e UÇK-së: Zgjodhën nderin mbi frikën, atdheun mbi jetën

Presidentja Osmani përkujton Mujë Krasniqin dhe 41 dëshmorët e UÇK-së: Zgjodhën nderin mbi frikën, atdheun mbi jetën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar përvjetorin e 27-të të rënies heroike të Mujë Krasniqit – Kapuçit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i cilësuar ata si themelin mbi të cilin u ndërtua liria e vendit.

Përmes një mesazhi përkujtimor, Osmani ka theksuar se sakrifica e Mujë Krasniqit dhe e shokëve të tij mbetet ndër aktet më të larta të përkushtimit ndaj atdheut, duke u shndërruar në frymëzim të përhershëm për brezat që vijnë.

“Ata ranë për t’u ngritur në përjetësi, duke u shndërruar në kushtrim të lirisë”, ka deklaruar Presidentja Osmani.

Ajo ka nënvizuar se zgjedhja e tyre ishte e qartë dhe e lavdishme, në një kohë kur liria kërkonte sakrificën më sublime.

“Mujë Krasniqi dhe shokët e tij zgjodhën nderin mbi frikën, atdheun mbi jetën”, është shprehur Osmani.

Presidentja ka theksuar se liria dhe shtetësia e Kosovës janë të ndërtuara mbi gjakun e dëshmorëve, duke shtuar se ky borxh moral do të mbetet i përhershëm.

“Gjakut të tyre i detyrohemi ne dhe flamuri i Republikës së Kosovës, i cili sot valon i lirë”, ka theksuar ajo.

Në përmbyllje të mesazhit, Presidentja Osmani ka nderuar me respektin më të lartë figurën e Mujë Krasniqit – Kapuçit dhe të gjithë dëshmorët e rënë në këtë betejë heroike.

“Lavdi e përjetshme Mujë Krasniqit dhe 41 dëshmorëve të UÇK-së!”, ka përfunduar Presidentja.