Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë për media ka njoftuar se nuk e ka dekretuar kryeprokurorin e ri.
Ajo ka thënë se për këtë e ka njoftuar edhe zyrtarisht Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Sot e kam njoftuar zyrtarisht KPK-në lidhur me vlerësimin e procedurave të ndjekura nga ky institucion në procesin e përzgjedhjes së Prokurorit, siç jeni në dijeni, pas një periudhe të gjatë të kontestimit të këtij procesi në gjykatat e Kosovës, para pak ditësh edhe Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë vendimin lidhur me këtë rast duke konsideruar procesin e kontestimit si të pasafatshëm. Pra, është me rëndësi të sqarohet qysh në fillim se asnjë gjykatë nuk i ka trajtuar ankesat nga aspekti përmbajtësor.”, tha Osmani.
Ajo gjithashtu ka thënë se gjatë procesit është përkujdesur të mos ndërhyjë në proces dhe ka thënë se këtë e ka bazuar në faktin që Kosova ka pasur u.d të Kryeprokurorit pa asnjë kufizim në kompetenca.
“Më lejoni t’i shqyrtoj dy elemente të rëndësishme; E para, për gjatë gjithë procesit jam përkujdesur maksimalisht që me veprimet e mija si presidente ta shmang çfarëdo ndërhyrje potenciale në drejtësi, prandaj jam përmbajtur nga çfarëdo vendimmarrje që do të cenonte proceset para gjykatave apo afatet kohore të cilat i kanë pasur në dispozicion kundërkandidatët, e dyta; mosndërhyrja ime është bazuar edhe në faktin se përgjatë gjithë kësaj periudhe, Kosova ka pasur u.d të Kryeprokurorit të Shtetit, pa asnjë kufizim në kompetenca, konform edhe me sqarimet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese me këtë temë.”, tha Osmani.
/TV Arbëria