Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili kritikoi Turqinë pas dërgimit të dronëve kamikazë “Skydagger” për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani tha se ndërsa Turqia, një vend anëtar i NATO-s, ndihmon në ruajtjen e paqes në rajon, Vuçiq e sulmon pa turp, duke dëshmuar, sipas saj, mendësinë e tij të vjetër hegjemone.
“Jam krenare që kam punuar ngushtë me Presidentin Erdogan, një njeri fjale, që gjithmonë ka treguar kujdes të thellë dhe të sinqertë për të gjithë popujt e rajonit tonë, dhe që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe paqes”, shkroi Osmani.
Ajo përmendi gjithashtu se në të njëjtën ditë, presidenti amerikan Donald Trump kishte lavdëruar Turqinë dhe presidentin Recep Tayyip Erdogan për rolin e tyre në promovimin e paqes globale, duke e quajtur sulmin e Vuçiqit ndaj Turqisë një ironi dhe një veprim të papërgjegjshëm diplomatik.
“Vuçiqi duket se beson se mund të kërcënojë një vend të madh të NATO-s si Turqia, në të njëjtën mënyrë siç kërcënon vendet fqinje. Në vend që të bashkëpunojë me shtetet anëtare të NATO-s, ai po e shtyn përpara bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, Kinën dhe Iranin”, shtoi presidentja.
Osmani tha se Kosova do të vazhdojë të forcojë lidhjet me aleatët e NATO-s dhe të modernizojë kapacitetet mbrojtëse për të kontribuar në paqen dhe sigurinë rajonale dhe globale.
“Vuçiqi duhet të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë, në vend që të sulmojë fqinjët. Por për mendësinë e tij të fiksuar në frikësim dhe të kaluarën, një pjekuri e tillë duket e paarritshme”, përfundoi Osmani, duke falënderuar popullin turk dhe presidentin Erdogan për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.