Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar sot Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, me Medaljen Presidenciale të Meritave, si shenjë falënderimi për përkrahjen e vazhdueshme ndaj futbollit kosovar dhe mbështetjen që FIFA i ka dhënë vendit tonë në arenën ndërkombëtare.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani ka thënë se ky është një nder i veçantë që bëhet në emër të gjithë popullit të Kosovës.
“Nder i veçantë që sot, në emër të popullit të Kosovës, ta nderoj me Medalje Presidenciale të Meritave Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, një mik i vërtetë i vendit tonë dhe i futbollit që bashkon njerëzit përtej kufijve,” shkroi ajo.
Presidentja shprehu mirënjohje për qëndrimin e Infantinos përkrah Kosovës në kohë suksesi dhe sfidash:
“Faleminderit, President Infantino, që qëndruat me ne si në triumfe, ashtu edhe në sfida. Kosova do të jetë përherë mirënjohëse!”.