Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot 20 gjyqtarë me mandat fillestar, në përputhje me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Nga gjyqtarët e dekretuar, 12 janë gra dhe 8 burra, duke reflektuar përpjekjet për promovimin e barazisë gjinore në sistemin e drejtësisë.
Në një ceremoni solemne të betimit para Presidentes Osmani, gjyqtarët e rinj kanë premtuar se do të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, duke u angazhuar për t’u treguar besnikë etikës profesionale dhe për të kryer detyrën e tyre me integritet, profesionalizëm dhe paanshmëri.
Presidentja Osmani theksoi se ndërtimi i një shteti të suksesshëm dhe demokratik është i mundur vetëm përmes një sistemi të drejtësisë të pavarur dhe funksional. Ajo theksoi se integriteti dhe profesionalizmi i gjyqtarëve janë elementët kyç për sigurimin e barazisë para ligjit dhe për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë. /TV Arbëria