Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, ka dërguar një mesazh urimi për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke rikonfirmuar mbështetjen e Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës.
Në urimin e tij, Presidenti Macron theksoi se “Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet.” Ai gjithashtu siguroi Presidenten Osmani për përkrahjen e vazhdueshme të Francës në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.
Macron shprehu gjithashtu shpresën se dy shtetet do të vazhdojnë të bashkëpunojnë, veçanërisht lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, që do të zhvillohen në Kosovë. “Franca është e gatshme t’ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë,” theksoi ai.
Në fund të urimit, Presidenti Macron falënderoi Presidenten Osmani për pjesëmarrjen në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre-Dame, duke pohuar se “Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj.” /TV Arbëria