Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, ka mbrojtur vendimin e tij për të shpallur gjendje lufte javën e kaluar, duke thënë se e bëri këtë për të mbrojtur demokracinë e vendit.
Në një dalje të befasishme televizive të enjten, ai ka thënë se veprimi i tij përbën një vendim ligjor për të “parandaluar kolapsin” e demokracisë dhe për të luftuar “diktaturën parlamentare” të opozitës.
Yoon ka dhënë sinjale se nuk do të japë dorëheqje para votimit të dytë për shkarkimin e tij, që do të mbahet të shtunën.
“Jam i vendosur edhe nëse merret vendimi për shkarkim apo hetime. Do të luftoj deri në fund”, ka thënë ai.
Presidenti dhe aleatët e tij janë duke u përballur me hetime për kryengritje, dhe disa prej tyre janë ndaluar që të largohen prej Koresë së Jugut.
Mirëpo, Yoon e ka mohuar se shpallja e gjendjes së luftës ka qenë akt rebelimi, duke pretenduar se rivalët e tij politikë janë duke krijuar tani arsyetime të rreme për ta rrëzuar nga pushteti.
Një tentim i ligjvënësve të opozitës për ta shkarkuar atë, ka dështuar, pasi anëtarët e partisë së presidentit e kanë bojkotuar procesin.
Yoon i ka akuzuar edhe simpatizantët e Koresë së Veriut se po tentojnë të minojnë Qeverinë e tij, kur e ka shpallur gjendjen e luftës më 3 dhjetor.
Vendimi ka rezultuar me trazira politike dhe ai është detyruar të tërheqë vendimin vetëm disa orë pasi është bllokuar nga ligjvënësit./REL/