Izraeli i ka kaluar vijat e kuqe në Gaza, gjë që mund t’i detyrojë të gjithë që të ndërmarrin veprime, ka thënë presidenti iranian, Ebrahim Raisi.
“Krimet e këtij regjimi i kanë kaluar vijat e kuqe, të cilat mund t’i detyrojnë të gjithë të ndërmarrin veprime. Washingtoni kërkon nga ne që të mos bëjmë asgjë, por ata vazhdojnë t’i japin mbështetje të gjerë Izraelit”, tha Raisi në një postim në rrjetet sociale.
Lufta e ashpër ushtarake e Izraelit në Gaza ka ngritur shqetësime se do të hapet në më shumë fronte. Irani është aleat i Hamasit si dhe i Hezbollahut, grupi militant libanez që ka qenë i përfshirë në shkëmbime zjarri me Izraelin në javët e fundit.
Ekspertët thonë se derisa Irani është i kujdesshëm ndaj luftës Izrael-Hamas, ai mund të mos ketë kontroll të plotë nëse milicitë që ai i mbështetë në rajon ndërhyjnë në mënyrë të pavarur, pasi Hamasi është duke pësuar goditje të rënda dhe numri i të vdekurve në Gaza po vazhdon të rritet.
Inteligjenca fillestare amerikane sugjeroi gjithashtu se zyrtarët iranianë ishin të befasuar nga sulmi i Hamasit dhe se Teherani nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në planifikimin ose miratimin e tij, ka raportuar CNN.
/TV Arbëria