Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Presidenti i Abkazisë thotë se është i gatshëm të japë dorëheqje

Presidenti i Abkazisë thotë se është i gatshëm të japë dorëheqje

Aslan Bzhania, udhëheqësi i Abkazisë – rajonit separatist në Gjeorgji që mbështetet nga Moska – tha më 16 nëntor se është “i gatshëm” të japë dorëheqje nëse mbështetësit e opozitës pajtohen që të largohen nga ndërtesa e Parlamentit, që gjendet në kryeqytetin Sukumi.

Opozita ka bërë thirrje për protesta të reja më 16 nëntor, pasi një ditë më herët protestuesit hynë në ndërtesën e Parlamentit, për të kundërshtuar një marrëveshje për ndërtim me Moskën dhe kërkuan largimin e Bzhanianit.

“Ata që morën nën kontroll ndërtesat, ata që tentuan një grusht shteti, duhet të largohen nga ndërtesa dhe pas kësaj unë jam i gatshëm të thërras zgjedhje të reja, të jap dorëheqje dhe të garoj në zgjedhjet e reja”, tha Bzhania para mbështetësve të tij në vendlindjen e tij Tamish, fshat që gjendet rreth 40 kilometra larg nga Sukumi.

Megjithatë, opozita duket se është e vendosur të injorojë kërkesat e Bzhanianit.

“Aslan Bzhania po bën përpjekje të dëshpëruara për të shpëtuar Qeverinë e tij”, tha përmes një deklarate i ashtuquajturi Këshill Koordinues i opozitës, duke shtuar se “sundimi i tij ka marrë fund”.

Përmes kësaj deklarate, opozita akuzoi Bzhanianin për “pasurim të familjarëve të tij dhe rrethit të tij të ngushtë”, duke u bërë thirrje mbështetësve të opozitës që të mblidhen në kryeqytet më 16 nëntor.

Mediat lokale raportuan më 15 nëntor se ligjvënësit dështuan që të ratifikonin marrëveshjes, e cila sipas kundërshtarëve të saj do t’iu mundësonte rusëve të pasur të blejnë prona në rajonin piktoresk të Detit të Zi, do të rriste çmimet e patundshmërisë dhe do të bënte të papërballueshme çmimet e patundshmërisë për vendasit.

Përfaqësuesit opozitarë thanë se pas kërkesës fillestare të tyre që marrëveshja të anulohet, tani protestuesit po kërkojnë rrëzimin e presidentit Bzhania.

Bzhania, ish-shef i shërbimit shtetëror të sigurisë në Abkazi, u tha mbështetësve të tij më 16 nëntor se “po u bëhet presion i madh anëtarëve të Parlamentit në mënyrë që Parlamenti të ndërmarrë veprime të paligjshme për të rrëzuar presidentin”. Ai paralajmëroi se “skenari i vitit 2014 nuk do të përsëritet”, referencë për një nga dy herat kur udhëheqësit në Abkazi dhanë dorëheqje për shkak të protestave të opozitës.

Abkazia dhe Osetia Jugore u shkëputën nga Gjeorgjia pas rënies së Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve ’90.

Moska e njohu pavarësinë e dy rajoneve pasi forcat ruse e zmbrapsën një tentim të Gjeorgjisë për ta rimarrë Osetinë Jugore gjatë një lufte pesëditore në verën e vitit 2008, e cila mbaroi me disfatën e Gjeorgjisë.

Shumica e vendeve ende e njohin Abkazinë si pjesë të Gjeorgjisë, por ekonomia e saj është pothuajse tërësisht e varur nga Moska, e cila ua paguan rrogat administratës publike dhe përfitimet sociale banorëve të saj.

Presidentja proevropiane e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, duke reaguar për tensionet që Tbilisi thotë se po ndodhin në rajonin e tij të okupuar, tha se Rusia “po përshpejton hapat drejt aneksimit” të Abkazisë.

Themes by WordPress