Analisti dhe këshilltari i Grupit Ndërkombëtar të Krizave me seli në Uashington, Marko Prelec, në një intervistë për gazetën zvicerane Neue Zürcher Zeitung ka deklaruar se “Strategjia e Albin Kurtit në pjesën veriore me qëllim shtrirjen e autoritet shtetëror të Kosovës, po tregohet e suksesshme, megjithë se ai paralajmëron se serbët e Kosovës nuk mund të reduktohen sikur në Kroaci. Sipas studiuesit të historisë në Universitetin e Yale, që më parë ka punuar dhe për Gjykatën e Hagës, procesi i dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës është „klinikisht i vdekur“.
M. Prelec, pohon ndër të tjera se Kurti është i vetëdijshëm dhe nuk ka besim se “dialogu do të sjellë rezultatin e dëshiruar – njohjen përfundimtare të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Prandaj, ai po e ndjek një politikë të faktit të kryer, duke zbatuar sovranitetin shtetëror në Veri sa më shumë që të mundet”. Dhe kjo strategji po tregohet më shumë e suksesshme se sa kanë pritur shumica e nesh. Pra askush nuk mund të kishte imagjinuar se një kryeministër në Prishtinë do të merrte kaq shumë vendime përtej partnerëve perëndimorë.
Kur pyetet për mundësitë e ndikimit të partnerëve perëndimorë mbi Kurtin, ai përgjigjet se vetëm KFOR-i mund të vendosë disa kufij të kuq, siç ka bërë në rastin e urës në Mitrovicë, kurse mundësitë tjera janë të kufizuara për shkak të popullaritetit të madh që e gëzon Kurti, veçanërisht pas konfliktit në Bansjkë.
Sipas, Prelec, Kurti synon – vendosjen e kontrollit mbi arsimin dhe shëndetësinë. Pra ai kërkon që serbët ta pranojnë qartë se jetojnë në shtetin e Kosovës. Çdo ndjenjë përkatësie ndaj Serbisë ai nuk e toleron. Dhe se qëllimi i tij afatgjatë është që ta zgjidh këtë problem sikur se Kroacia. Edhe në atë shtet ka ekzistuar një pakicë e konsiderueshme serbe, por që pas luftës është zvogëluar në disa përqindje. Por Kosova nuk është Kroaci, deklaron ndër të tjera Prelac
Ndërkohë sa i përket rrezikut të eskalimit të situatës, Prelec konstaton “Nuk ka rrezik të menjëhershëm. Por, në varësi të kushteve geostrategjike, situata mund të ndryshojë. Çdo fitore e Rusisë kundër Ukrainës do të sjellë edhe kufij të rinj. Për më tepër, ekziston gjithashtu pasiguri në lidhje me një fitore të mundshme të Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane. Në fund, Prelec paralajmëron se “Perëndimi gabon nëse i nënvlerëson konfliktet e pazgjidhura në rajon”. /TV Arbëria