Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Prekazi vërshohet nga qytetarët

Prekazi vërshohet nga qytetarët

Në ditën e 17 shkurtit, ku para 16 vjetësh në këtë datë Kosova shpalli pavarësinë e saj, qytetarë të shumtë vizituan Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, me ç’rast shprehën nderime për sakrificën e të rënëve për liri.

Ali Kpuzi nga Mitrovica, derisa bëri homazhe pranë varreve të familjes së Jashari, tha se sakrifica e tyre ka qenë çlirimi i tokës tonë, për çka shtoi se për një kohë të shkurtër Kosova ka përparuar shumë.

Kpuzi konsideroi se falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendi ynë ka arritur që të përmbushë më shumë se 80 për qind të qëllimeve që pati.

“Dëshmorëve tanë, familjes së Adem Jasharit, dëshmorëve të tjerë, i uroj familjes Jashari dhe kosovarëve Ditën e Pavarësisë. Sakrifica e tyre ka qenë çlirimi i tokës tonë dhe për këtë kohë të shkurtër, mendoj se Kosova ka përparuar shumë. Falë gjakut të tyre ne e gëzojnë këtë liri të cilën duhet mbajtur me pietet të duhur sepse edhe më parë populli ynë ka përjetuar katrahura prej armiqve përreth…Gëzuar pavarësinë Kosovë e dashur…Qëllimet e Kosovës mund të them këtë moment se diku 80 për qind kanë arritur vlerën që e ka sot shteti i ri, por, falë sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Kpuzi.

Po ashtu, edhe Asllan Asllani nga Prishtina tha se nuk duhet harruar historia dhe e kaluara e popullit të Kosovës.

Porosia e Asllanit është që të jemi të bashkuar duke lënë anash interesat personale, duke shpresuar në bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai tha se ka ardhur me autobus nga Prishtina me rreth 100 pensionistë të tjerë për të nderuar sakrificën e familjes Jashari.

Musa Buzhala tha se 17 shkurti është një ditë e madhe për të cilën Kosova ka pritur me shekuj.

Ai tha se familja Jashari është e shenjtë.

Ndërsa, qytetari Shaban Tahiri, derisa vizitoi e bëri nderime tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, tha se pikërisht aty ka lindur pavarësia e Kosovës.

Ai tha se ka marrë me vete edhe nipin e mbesën për t’i treguar ngjarjet dhe historinë e lirisë së Kosovës.

Përveç qytetarëve, krerë të lartë shtetërorë gjatë ditës bënë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.