Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Prapaskenat e një “darke të gabuar”

Prapaskenat e një “darke të gabuar”

Shkruan: Afrim Kasolli

Kryeministri Kurti në javën që shkoi u bëri ftesë liderëve të opozitës, Memli Krasniqit nga PDK, Lumir Abdixhikut nga LDK, dhe Ramush Haradinajt nga AAK, për t’u takuar për ditën e sotme në një “darkë politike”.

Motivi i takimit sipas ftesës së Kryeministrit Kurti, ka të bëjë me përmbushjen e agjendës legjislative, por pa e specifikuar konkretisht se për çka është fjala. Kësaj darke i është përgjigjur pozitivisht vetëm Partia Demokratike e Kosovës, me synimin e caktimit të datës së zgjedhjeve të reja parlamentare, një kërkesë kjo kahershme e këtij subjekti politik. Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e kanë refuzuar këtë takim me arsyetimin se këto çështje mund të adresohen në kuadër të trupave të Kuvendit të Kosovës, sikur se janë Kryesia dhe shefat e grupeve parlamentare.

Sidoqoftë, koha kur i pari i Qeverisë së Kosovës e ka bërë këtë lëvizje, si dhe rrugëtimi politik që ka ndjekur ndër vite, krijon dyshime se motivi i kësaj darke ka të bëjë vetëm me ato që i potencuar Kurti.

Këtu duhet kujtuar se Kuvendi i Kosovës edhe kohë më parë ishte gjendur në një ngërç serioz parlamentar, për shkak të refuzimit të opozitës për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare, mirëpo kishte munguar një iniciativë e tillë nga shefi i ekzekutivit. Po ashtu, në sfond të karrierës politike të Albin Kurtit, nuk qëndron prirja për konsensus, madje një vlerë të tillë ai e quan mbeturinë mentale të dogmave liberale, por për antagonizëm dhe hegjemoni politike dhe ideologjike.

Prandaj, është plotësisht e mundur që motivi i këtij takimi të dominohet kryesisht nga dy tema tjera. E para për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese, si një kusht paraprak për anëtarësimin e Kosovën në Këshillin e Evropës si dhe kërkimi i mbështetjes opozitare për kalimin Kodit Civil, një premtim i bërë përsëri së fundi para deputeteve social demokratë gjermanë, e cili ka mbetur në sirtarët e pluhurosur të Qeverisë, që një kohë të gjatë.

Në këtë mënyrë, shihet qartë se pushteti po tenton të shfajësohet nga dy prej temave që ka përfituar më së shumti politikisht, por që tashmë i janë rikthyer në një bumerang. Siç dihet nga të gjithë, Albin Kurti, e ka përdorur kauzën e Asociacionit, si njërën nga armët e tij kryesore elektorale, kundër partive që tashmë janë në opozitë. Me anë të saj, i ka diskredituar, mundur, si dhe ka fituar një pushtet thuajse absolut në Kosovën e pasluftës. Ndërkohë, për të qenë sa më i sigurt që ky pushtet të jetë sa më masiv, ai nuk ka ngujuar të bëjë marrëveshje parazgjedhore dhe me grupe konservatore politike që ka qenë e dituar që nga fillimi që kanë pozicion kontradiktor në raport më ato që i ka propaganduar si ideale të së majtës progresive.

Prandaj, ai sot po e kërkon shpëtimin pikërisht te ata që i ka mundur me tema që i kanë krijuar fitore të brendshme elektorale, por i janë kthyer në disfatë shtetërore. Në fund të fundit, bashkësia ndërkombëtare, sot po e kërkon miratimin e atij draft-statuti, të cilin i pari i Qeverisë e kishte glorifikuar si një dokument që e ndërpret “trashëgiminë mos njohëse të Serbisë mbi Kosovën”.

Është në vullnetin partive opozitare se si do të veprojnë në raport me këtë ftesë. Ato mund ta refuzojnë atë sikur se LDK dhe AAK, ose për ta shijuar drejtpërdrejtë disfatën e tij shtetërore, mund të marrin pjesë sikur se PDK-ja. /TV Arbëria

Powered by WordPress