Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë ditës së djeshme, Gjykata Kushtetuese e njoftoi opinionin se i ka rrëzuar deri në 13 ligje të miratuara në mandatin e kaluar nga qeverisja e Albin Kurtit.
Këto ligje ishin adresuar në këtë institucion nga Partia Demokratike e Kosovës. Ish-shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti politik, Abelard Tahiri, i cili ka mbetur jashtë Kuvendit në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka shkruar se ato ligje ishin dërguar me iniciativën e tij dhe se, në këtë mënyrë, “Kushtetuta u mbrojt” dhe “ligjshmëria triumfoi”.
Sidoqoftë, kohët e fundit duket se ky subjekt politik është duke shënuar një prapakthim juridik. Kjo parti dështoi t’i mbronte juridikisht si pretendimet e saj për manipulim të votave në Mitrovicë, si në PZAP ashtu edhe në Gjykatën Supreme. Po ashtu, edhe dje e humbi një betejë tjetër juridike në PZAP, sa i përket dyshimeve për manipulim me votat e diasporës.
A flasin këto dështime se kjo parti po e humb të vetmin standard me të cilin ishte identifikuar për një mandat të plotë?