Dy persona të shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit në Shqipëri janë arrestuar sot në qytetin e Vlorës. Njëri prej tyre është i dënuar me 1 vit e 7 muaj burgim për prodhim dhe shitje të narkotikëve, kurse tjetri i akuzuar për të njëjtën vepër penale, transmeton Sinjali.
Për arrestimin e tyre u realizua aksioni policor i koduar si ‘City’.
Policia e Shtetit ka dhënë detaje për dy personat e prangosur.
“- Letjano Beluli, 46 vjeç, banues në Vlorë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 16.05.2019, e ka dënuar me 1 vit e 7 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Veprimet e tjera procedurale do të kryhen nga DVP Elbasan;
– J. I., 32 vjeç, banues në Vlorë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 12.12.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.”
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.