Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pushteti i Inkuizitorit të Madh në përkujtim të Astrit Deharit

Pushteti i Inkuizitorit të Madh në përkujtim të Astrit Deharit

Shkruan: Afrim Kasolli – Dita e enjte e javës që lamë pas ishte nga më të kobshmet për pushtetin aktual. Me një aksion të thjeshtë, aktivisti i PSD-së Behar Retkoceri e zhveshi këtë të fundit nga çdo propagandë dhe mit dhe e la mbretin lakuriq, duke i ballafaquar disa nga vartësit e tij mbi pranimin e Asociacionit, dhe më kryesorja që me këtë marrëveshje po e shkelnin sakrificën e Astrit Deharit. Sepse deri sa ishte në opozitë, kjo parti pohonte se aktivisti i tyre kishte rënë në kundërshtim të Zajdenicës.

Ndërkohë, në ditën e përkujtimit të Astrit Deharit askush nga zyrtarët e kësaj partie nuk e potencoi këtë fakt. Se ky pushtet nuk do ta pranojë kurrë “as asi, e as kësi” Asociacioni për t’i qëndruar besnik kauzës së ish-aktivistit të tyre, siç e thoshte dikur në mënyrë sharlataneske, Kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konfjufca. Por folën në terma të përgjithshëm se si janë në kërkim të drejtësisë etj etj.

Në këtë kontekst, ky rast u përdor për të legjitimuar tensionet aktuale ndërmjet pushtetit dhe prokurorisë dhe për të gjetur justifikim për mos dekretimin Kryeprokurorit të shtetit nga noteria e të parit të Qeverisë së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani.

Një zhvendosje e tillë e fatit tragjik të Astrit Deharit, simpomatkisht tregon sesi ka filluar ta përdor pushteti aktual atë në funksion të nevojave momentale ditore politike. Nëse dikur ai përdori si pjesë e retorikes politike për t’i fituar zgjedhjet, tashmë që partia Lëvizja Vetëvendosje ia ka arritur këtij qëllimi, atëherë kjo ngjarje duhet përdorur me synim “reformimin e shumëpritur të sistemit të drejtësisë”. Me një fjalë edhe për më shumë pushtet. Madje, ka gjasa që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kjo temë do të jetë kauza kryesore e Lëvizjes Vetëvendosje, me qëllim çlirimin e sistemit të drejtësisë.

Po ashtu, edhe sa më shumë kompromise që kjo parti do të bëjë në procesin e dialogut aq më tepër do të përmendet emri i tij. Pra, Astriti, është martiri që ka sakrifikuar  dhe është angazhuar edhe për këta që sot e gëzojnë e pushtetin. Sepse në këtë mënyrë partia në pushtet e shfrytëzon këtë rast si paravan për ta qetësuar ndjenjën e mëkatit, ku tashmë ka pranuar dokumente për rregullimin e brendshëm territorial, “autonominë e serbëve të Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe” edhe me një lexim sipërfaqësor, e që i duken në rregull me frymën e Kushtetutës.

Tjetërsime të tilla  i ka përshkruar psikologu i njohur Erich Fromm në librin e tij “Të kesh apo të jesh” ku tregon se si shumica e shoqërive perëndimore për shkak të afirmimit e impulsit të posedimit, e përdoronin jetën dhe sakrificën e Krishtit si mjet të qetësuar ndërgjegjen e tyre të vrerosur, sepse ishte ai që kishte dashuruar dhe ishte martirizuar edhe për këto shoqëri. Me një fjalë ato mësime transformoheshin në një ideologji për ta mirëmbajtur të kundërtën e atij pushteti që e rekomandonin predikimet e tij.

Mirëpo, impulset e kësaj çarjeje mbase në mënyre gjeniale janë përshkruar nga shkrimtari i njohur Fjodor Dostojevski në veprën e tij të njohur “Vëllezërit Karamaznov”  në kapitullin kushtuar pushtetit të “Inkuizitorit të Madh”. Sipas këtij rrëfimi letrar, në kohën e inkuizicionit në fund të mesjetës, Krishti rikthehet në tokë në qytetin e Seviljes në Spanjë. Ai fillon dhe performon një numër të mrekullive dhe njerëzit fillojnë ta njohin dhe adhurojnë. Kjo i shkakton ankth zyrtarëve të Kishës. Prandaj, ai arrestohet dhe dërgohet në qeli, ku dënohet më vdekje. Mirëpo, një natë më herët “Inkuizitori i Madh” e viziton atë dhe i kërkon që të largohet sepse tashme pushtetit të Kishës ai i duhet vetëm i vdekur.

Pardokaslisht, ai institucion që krejt pushtetin e tij e mirëmban mbi predikimin e ringjalljes së shpëtimtarit të njerëzimit, pikërisht kur ndodh  ky rikthim është kundër tij. Gjatë këtij monologu “Inkuizitori i Madh” i thotë Krishtit, se tashmë Kisha pikërisht po i “korrigjon gabimet e tij, që i nxiste njerëzit të hiqnin dorë nga tundimet e të mos binin në mëkat. Këto predikime ishin të papranueshme kur njerëzit nuk janë krijuar të tillë, që për t’u ndjerë të mbrojtur dhe të sigurte, e sakrifikojnë edhe lirinë.

Prandaj, në fund Inkuizitori e këshillon Krishtin që të largohet dhe të mos kthehet më kurrë. Madje, kjo edhe ishte arsyeja, që shkrimtari i njohur ka pohuar se ndërmjet Krishtit dhe të vërtetës për të ai zgjedh të parin. Ndërkohë, këtu duhet kuptuar se është fjala për të vërtetën se si është shtresëzuar rrëfimi i saj si dogmë nga pushteti.

Ky krijim letrar, më mirë se asgjë tjetër, tregon për manipulimet konstante qe pushtetet kanë bërë me heronjtë që i mbajnë në themel të tyre. Nuk ka paradoks më të madh sesa ajo që po ndodh aktualisht me të vërteten dhe drejtësinë për Astrit Deharin. Kjo qeveri ka bërë deri më tani më së paku për ta zbardhur këtë rast. Madje, nën drejtimin e saj u humbën e dhe provat e kësaj vdekjeje. Me këto veprime ajo qartazi po e transmeton mesazhin që më shumë është e interesuar ta ruajë këtë mister, sasa ta zbardhë atë, sepse përftimi politik është më i madh nga kjo errësirë.

Pra pikërisht ata që do të duhej të bënin më së shumti për t’iu afruar kësaj të vërtete, në fakt kanë bërë më së paku për ta ndriçuar. Me qëllim që ta përdorin këtë enigmë, sa herë ju nevojitet për të legjitimuar interesat e tyre politike, sidomos në raport me kompromiset e tanishme me Serbinë.

/TV Arbëria

 

 

Powered by WordPress