Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pse Serbia mund të mos jetë e interesuar për luftë me Kosovën?

Pse Serbia mund të mos jetë e interesuar për luftë me Kosovën?

Shkruan: Afrim Kasolli- Ka kohë që eksponentë të pushtetit paralajmërojnë një luftë të mundshme me Serbinë. Kuptohet, jo për faj të Kosovës, por për shkak të apetiteve hegjemoniste të Serbisë.

Prandaj, lëshimet dhe kompromiset në procesin e dialogut, shpeshherë i kanë arsyetuar nga nevoja për të shmangur luftën. Në një sërë intervistash dhe deklarimesh për media vendore dhe të huaja, kryeministri Kurti ka paralajmëruar për një skenar të tillë. I ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të jetë vigjilente për këtë opsion si dhe ka kërkuar ndihmën e tyre në rast të rrezikut për t’u përballur me ndonjë agresion eventual ushtarak të Serbisë mbi Kosovën.

Sipas të parit të Qeverisë së Kosovës duke marrë parasysh natyrën autokratike të regjimit të Vuçiqit dhe ngjashmërinë me atë të Putinit, nuk përjashtohet mundësia, që sikur se i dyti e sulmoi Ukrainën edhe i pari ta bëjë një gjë të tillë me Kosovën.

Se shteti serb ka qëllime armiqësore ndaj Kosovës, kjo nuk mund të mohohet. Dhe se për realizmin e tyre nuk do të lë mjet pa përdorur, as kjo nuk përjashtohet. Mirëpo, mbase pikërisht për shkak të koniunkturës aktuale si rajonale dhe ndërkombëtare, Serbia mund të mos jetë e interesuar për luftë.

Dhe këtë, jo pse ajo është humanizuar, demokratizuar, si dhe i ka adaptuar vlerat dhe standardet evropiane për paqe dhe fqinjësi të mirë, por është e vetëdijshme që ajo do të humbiste shumë më shumë në rrethanat aktuale nëse tundohet nga aventura të tilla ushtarake. Prandaj, ajo nuk ka interes t’i rrezikojë ato që tashmë i ka përfituar gjatë procesit politik të dialogut më Marrëveshjen bazë të Brukselit, planin e zbatimit të saj në Ohër dhe draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Fillimisht, duke u bazuar në këto dokumente Serbia nuk është e obliguar ta njoh shtetin e Kosovës për shkak të mos paragjykimit të palëve për statusin. Për më shumë, me përkushtimin për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës, është suspenduar njëri nga parimet fondataore të shtetit të Kosovës.

Siç dihet, Kosova e fitoi të drejtën për të qenë e pavarur, pas një procesi të gjatë dhe të mundimshëm negociator që u zhvillua në Vjenë me ndërmjetësimin e emisarit të posaçëm të OKB-së, ish-Presidentit Martti Ahitisari.

Në fund të kësaj ndërmarrjeje të komplikuar diplomatike, diplomati i urtë finlandez, në koherencë me njërin nga formulimet më të famshme morale të filozofit të njohur gjerman Imanuel Kant-it, sipas të cilit “gjatë një konflikti nuk guxon të ndodhë diçka që do ta bënte të pamundur pajtimin pas përfundimit të tij”, deklaroi se “duke marrë parasysh sjelljen e shtetit serb ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës në të kaluarën, atëherë çdo opsion tjetër pos pavarësisë do të ishte i pamundur”.

Dhe me pajtimin për ta tejkaluar këtë trashëgimi, është suspenduar pikërisht njëri nga kriteret morale të shtetësisë së Kosovës. Kurse, Serbia ka fituar imunitet ndërkombëtar për krimet kundër saj në Kosovë. Ndërkaq, shteti ynë e ka privuar vetën që edhe në të ardhmen të mund ta padis atë për gjenocid, sepse është zotuar që kjo plagë të tejkalohet.

Ndërkohë, me draft-statutin e Asociacionit, që do të zbatohet “faza faza dhe në mënyrë graduale”, po ashtu Serbia e ka shtruar rrugën e njohës ndërkombëtare të këtij entiteti. Kështu, serbët e Kosovës krahas legalizimit të lidhjeve me Serbinë, po ashtu për ta instanca finale juridike dhe politike  nuk do të jetë me shteti i Kosovë, por një strukturë ndërkombëtare, sikurse arbitrazhi.

Fakt ky, që e ka pranuar edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, kur në një intervistë për mediat vendore, ka pohuar “se pa këtë dispozitë do të kishte një hendek ligjor sepse korniza ligjore e Kosovës nuk përmban një mekanizëm për zgjidhjen e kontesteve të këtij lloji”.

Rrjedhimisht, në këtë mënyrë transmetohet mesazhi se tashmë vet-menaxhimi i serbëve lokalë do të bëhet jashtë rendit kushtetues të Kosovës.

Janë këto arsye të lartcekura, krahas frikës se ballafaqimi me NATO-në do të ishte fatal për Serbinë, që e frenojnë Beogradin për luftë klasike ndaj Kosovës.

Çdo luftë, sipas strategut të njohur gjerman, Carl von Clausewitz, është vazhdim i politikës me mjete tjera. Mirëpo, po ashtu për Michel Foucault, çdo politikë është vazhdim i luftës me mjete tjera. Prandaj, shihet qartë që në kushtet aktuale qëllimi strategjik i Serbisë mbetet shumë më shumë realizimi i qëllimeve të luftës me mjete politike, pasi njëherë e humbi të parën.

E për të përfituar sa më shumë politikisht, nuk përjashtohen raste të sulmeve sikur se ai i 24 shtatorit, sepse pas tij kryeministri Kurti para diplomatëve ndërkombëtarë u pajtua për draft-statutin aktual të Kosovës. Ndërkaq, për ta mjegulluar këtë dështim, kambanat e pushtetit për rrezikun e luftës mbase do të bëhen edhe më kumbuese.

/TV Arbëria

 

 

 

 

Themes by WordPress