Pozita dhe opozita nuk presin rritjen e çmimit të tarifave të energjisë elektrike. Madje sipas tyre, Zyra e Rregullatorit të Energjisë duhet të rishikojë për uljen e çmimit të rrymës. Në anën tjetër, në ZRrE nuk mohojnë mundësinë e shtrenjtimit të tarifave.
KosovaPress ka pyetur KEDS dhe KESCO-n, nëse kanë kërkuar rritjen e energjisë elektrike, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e kësaj teme.
Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), thonë se janë në fazën fillestare të shqyrtimit të komenteve dhe raportit konsultativ, dhe se nuk i kanë ende informatat rreth çmimeve të tarifave.
Kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu thotë për KosovaPress, se procesi do të përfundojë më 31 mars, dhe pas kësaj do të dalin me njoftim.
Sipas tij, me tarifat që janë aktuale, është arrit të përmbushet hendeku i madh financiar që ishte në sektor si pasojë e krizës energjetike.
Në anën tjetër, edhe partitë opozitare thonë se nuk është e drejtë që të ketë rritje të çmimit të rrymës, pasi sipas tyre, do të rëndohet më shumë gjepi i qytetarëve.
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ferat Shala thotë se çdo orvatje tjetër në çfarëdo forme ligjore apo joligjore për ngritjen e çmimit të energjisë, bie në kundërshtim me gjitha parimet e ekonomisë së tregut.
Se çmimi i rrymës nuk ka arsyeje që të rritet e thotë edhe deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Valentina Rexhepi-Bunjaku, e cila shton se nëse ndodh e kundërta, duhet të ketë rritje edhe të pagave në Kosovë.
Lidhur më tarifat e energjisë elektrike, KosovaPress, ka dërguar pyetje edhe në KESCO dhe KEDS, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e kësaj teme.