Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Pozita zotohen për efikasitet të Kuvendit, opozita thotë se do t’ia pamundësojnë punën

Pozita zotohen për efikasitet të Kuvendit, opozita thotë se do t’ia pamundësojnë punën

Kuvendi i Kosovës nesër do të nisë sesionin e rregullt vjeshtor, pas pushimeve verore të deputetëve. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje premton efikasitet më të madh të mazhorancës në miratimin e projektligjeve dhe mbarëvajtje më të mirë të seancave. Mirëpo, partitë opozitare “kërcënojnë” shumicën parlamentare dhe qeverinë se s’do ketë normalitet në Kuvendit deri sa të shpallen zgjedhjet e reja të parakohshme.

Në PDK dhe AAK nënvizojnë se s’do të marrin pjesë në asnjë votim në Kuvend, përfshirë edhe për marrëveshjet ndërkombëtare. Në anën tjetër, monitoruesit e punës së legjislativit kërkojnë që deputetët të mos përdorin gjuhë joparlmanetare dhe të ketë mbarëvajtje të rregullt të seancave plenare.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress, se gjatë sesionit vjeshtor do të përmbushin në tërësi agjendën legjislative që e ka propozuar qeveria.

“Qasja dhe fokusi i mazhorancës është në realizimin e planit legjislativ që e ka propozuar qeveria. Të trajtohet me prioritet dhe efiskasitet të gjitha projektligjet që tashmë janë në procedurë dhe kanë kalaur në lexim të parë në Kuvend, gjatë sesionit pranveror dhe duhet të trajtohen nga grupet punuese dhe komisionet para se të miratohet përfundimisht. Pastaj duhet projektligjet të tjera që pritet të procedohen në vjeshtë nga qeveria dhe të njëjtat janë të rëndësishme. Fokusi i Kuvendit duhet të jetë që me efikasitet të përmbushë planin legjislativ”, thotë ai.

Por, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, thotë për KosovaPress, se do të ndërmarrin mjete dhe veprimet demokratike që i kanë në dispozicion brenda Kuvendit, për t’ia pamundësuar punën shumicës parlamentare, rrjedhimisht edhe Qeverisë së Kosovës.

“Ne do t’i përdorim të gjitha mjetet demokratike që i kemi në dispozicion brenda parlamentit dhe jashtë tij që vendin ta qojmë në zgjedhje dhe të kemi një qeveri që e nxjerr vendin nga kriza. Kosova sot është shtet i izoluar. Kosova sot është shtet i cili ka sanksione nga ShBA-ja dhe BE-ja. Kosova tashmë ka hyrë në një vorbull të keqpërdorimeve të brendshme. Ju i shihni keqpërdorimet e mëdha që kanë ndodhur me rezervat shtetërore, keqpërdorimet e mëdha që kanë ndodhur me energji elektrike. Tashmë edhe dështimin e madh që i prek mbi 200 mijë nxënës për mosfurnizim me libra…Çdo veprim i joni do të jetë veprim, i cili do t’i pamundësojë punën kësaj qeverie. Ne nuk do të marrim pjesë në asnjë votim i cili i ndihmon kësaj qeverie dhe ia zgjatë jetën kësaj qeverie. Ne po punojmë çdo ditë që vendin ta qojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe vendi të ketë një qeveri e cila e nxjerr nga kjo krizë dhe sanksionet”, thotë Tahiri.

I ashpër me partinë në pushtet është edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili thotë se Lëvizja Vetëvendosje ka degraduar jetën parlamentare.

Ai shton se e njëjta s’ka lënë asnjë hapësirë që opozita me qenë konstruktive në Kuvend.

“Si grup parlamentar kemi pasur diskutim të hapur edhe me Vetëvendosjen. Ai diskutim s’ka qenë vetëm në Kuvend por edhe në komisione. Nuk shoh hapësirë për t’i dhënë mbështetje kësaj qeverie në asnjë pikë dhe asnjë fushë. Nuk shoh pasi e ka degraduar masën më të madhe të mundshme, jo vetëm jetën parlamentare, mirëpo edhe qeverisjen. Nuk shoh hapësirë për të qenë konstruktiv në këtë temë. Zgjidhja e vetme është ballafaqimi me sovranin”, deklaron Tahiri.

Mirëpo, ketë qasje e sheh të gabuar deputeti i pushtetit, Adnan Rrustemi. Sipas tij, sjellja e opozitës është joracionale në Kuvend.

“Qasja e mazhorancës në raport me opozitën ka qenë gjithmonë parimore. Ne kemi qenë të interesuar dhe të gatshëm për të dialoguar, diskutuar dhe bashkëpunuar në interes të qytetarëve të Kosovës. Por sjellja e opozitës për bindjen time është iracionale komplet. Ata nuk e kanë të qartë as çfarë duan, kundërshtojnë dhe mbështesin politikisht. Ata e kanë vetëm një gjë të qartë, dëshpërimi që po i prodhon mungesa e mbështetjes nga qytetarët, kjo që evidentohet nga sondazhe të caktuara po reflektohet me sjellje të papërgjegjshme iracionale në Kuvend. Unë nuk jam kundër aksioneve simbolike dhe politike që mund të ndërmerr opozita në Kuvendin e Kosovës. Madje konceptualisht jam përkrahës i tyre, por ato kërkojnë një kërkesë të qartë dhe definuar jo vetëm brenda Kuvendit por edhe jashtë tij”, thekson Rrustemi.

Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi(IKD), Naim Jakaj tregon për KosovaPress, se cilat çështje duhet t’i ketë prioritet Kuvendi gjatë sesionit vjeshtor.

“Kuvendi duhet t’i prioritizojë disa çështje që kanë të bëjnë edhe me menaxhimin e brendshëm dhe të jashtëm të punës së vet. Fillimisht duhet të sigurohet që mbarëvajtja gjatë seancave plenare të jetë prioritet i kryetarit të Kuvendit. Po ashtu kemi pas gjuhën jo parlamentare gjatë kësaj legjislature që është përdorur më së shumti sesa legjislaturat e kaluara. Po ashtu kemi pas edhe mosrespektim të rregullores së Kuvendit. Psh, Kuvendi ka dy vite që punon pa program të punës, përkundër që me rregulloren e re duhet që programi i punës të miratohet çdo fillim të sesionit, të cilët nuk është duke e bërë Kuvendi. Një gjë tjetër që duhet ta ketë Kuvendi si prioritet është që të rritet transparenca në votimet e deputetëve të Kuvendit. Sot nuk kemi informacione sesi një deputet i caktuar voton, pasi mungon votimi elektronik. Tjetër aspekt i funksionimit të brendshëm i përket fenomentit të mosarritjes së kourumit, fillimisht nga shumica parlamentare pastaj edhe nga opozita për arsye të bojkotit për tema të ndryshme”, deklaron Jakaj.

Deputetët e Kuvendi të Kosovës kanë hyrë në pushim prej datës 28 korrik 2023. Në bazë të rregullores së Kuvendit, të zgjedhuri e popullit duhet të rikthehen jetës parlamentare të hënën e dytë të muajit shtator, që i bie 11 shtatori.

Javën e kaluar opozita kishte mbledhur 40 nënshkrime, ku thirrën seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për çështjen e sigurimi të teksteve shkollore, mirëpo e njëjta dështoi për shkak të mungesës së mazhoracës në sallën plenare.

Kuvendi i Kosovës gjatë sesionit pranveror është karakterizuar me polarizim të tejskajshëm ndërmjet partive opozitare me qeverinë dhe shumicën parlamentare, e cila edhe eskaloi me rrahje mes deputetëve të PDK-së me ministra të kabinetit qeveritar më 13 korrik.

/TV Arbëria

Powered by WordPress