Me 16 mijë euro euro është gjobitur Partia Demokratike e Kosovës, pas katër ankesave të dorëzuara nga Vetëvendosja në PZAP. Të gjitha ankesat kanë qenë për postimet në Facebook të katër personave, që VV ka pretenduar se janë mbështetës të PDK’së.
Në përgjigje ndaj ankesës, PDK ka thënë se garanton se personat të cilët janë objekt i kësaj ankese nuk janë pjesë e strukturave partiake dhe nuk përfaqësojnë këtë subjekt.
“Paneli, pas shikimit të shkresave të lëndës të ofruar si provë materiale, konstatoi se postimi dhe përdorimi i kësaj gjuhe nga simpatizantët e subjektit politik të PDK’së, Agim Spahiu, Mentor Gecaj, Nexhmi Muçiqi dhe Blend Zymi, në kuadër të fushatës zgjedhore, konsiderohet shkelje e rregullave zgjedhore në Kosovë, ngase veprimi i marrë në kohë të fushatës zgjedhore ka për qëllim të krijojë një lidhje negative ose të nxisë ndjenja të urrejtjes dhe krijoj atmosferë tensioni dhe përçarje”, thuhet në vendimin e PZAP.
PDK detyrohet ta paguajë këtë gjobë në afat prej 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi.

Edhe gjoba në vlerë prej 2 mijë euro që është shqiptuar ndaj Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, vjen pas ankesës së VV’së.
Në përgjigje për këtë ankesë, AAK ka thënë se flamuri është vendosur aty gjatë kohës sa ky subjekt ka mbajtur tubim politik aty dhe se ka shërbyer si orientim për pjesëmarrësit për lokadcionin ku po mbahet tubimi dhe se pas përfundimit të tubimit, flamuri është larguar.
Në vendimin e PZAP thuhet se Paneli në mënyrë të padyshimtë ka konstatuar se AAK ka përdorur institucionin publik, konkretisht oborrin e shkollës./Reporteri.net
