Njohësi i çështjeve politike jo vetëm në vend por edhe në rajon, politologu Albinot Maloku duke komentuar emërimin e Talat Xhaferit si kryeministëri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut në një deklaratë për TV Arbëria ka vlerësuar se kjo rrjedh si pasojë e marrëveshjeve mes partnerëve të koalicionit qeverisës, ndërsa modeli i këtij funksionimi mbështetët tek modalitetet e nxjerra nga Marrëveshja e Përzhinos.
Sipas tij, kjo marrëveshje Qeverinë kalimtare e nxjerr me kompetenca teknike, ku angazhim parësor i saj është mirëmbajtja e rendit dhe e vendit deri të procesi zgjedhor.
“Nëse e vendosim simbolikën si matës të kësaj arritje për spektrin politik shqiptar në Maqedoni të Veriut, është për tu konsideruar si moment i veçantë në trajektoren e zhvillimeve politike të Maqedonisë së Veriut”, ka theksuar analisti.
Mirëpo, sipas tij, nëse provojmë që bërjen e Talat Xhaferit për kryeministër të Maqedonisë së Veriut ta promovojmë e nxjerrim si moment i faktorizimit mbarë shqiptar, konsiderojë që e injorojmë esencën e gjendjes aktuale të shqiptarëve, duke shtuar se shqiptarët kudo janë në Ballkan dhe tanimë e kanë kaluar simbolikën, ata nuk duhet ta anashkalojnë esencën.
“Kjo vlen aq sa për spektrin politik shqiptar në Maqedoni të Veriut, po aq edhe në Kosovë, e pa dyshim edhe në Shqipëri. E rëndësishme duhet të jetë si po jetojnë shqiptarët me gjithë këto lëvizje e pozicioni politike të lidershipit të tyre”, ka nënvizuar Maloku.
E emërimi i Talat Xhaferit si kryeministri i parë shqiptar, është votuar të dielën nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, derisa sot ai edhe zyrtarisht e ka pranuar mandatin e ri që do ta udhëheq për 3 muaj apo 100 ditë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Derisa jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por edhe në Kosovë e Shqipëri emërimi i Talat Xhaferit është parë dhe përshendetur nga spektri politik gjithandej hapësirës gjeografike ku flitet shqip.
LEXO EDHE: Talat Xhaferi flet si kryeministër i Maqedonisë së Veriut: Mbetem përgjegjës para qytetarëve
/TV Arbëria