Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Politikani rumun me kërkesë të çuditshme: Kosova të përjashtohet për pesë vjet

Politikani rumun me kërkesë të çuditshme: Kosova të përjashtohet për pesë vjet

Politikani rumun dhe ish-kryetari i Ligës Profesionale të Futbollit në Rumani, Dumitru Dragomir, ka thënë se Kosova duhet të përjashtohet për pesë vjet nga garat evropiane dhe jo vetëm ta humbë ndeshjen 3:0 në tavolinë.

Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës, e cila u luajt në Bukuresht të premten, nuk mbaroi. Në minutat e fundit të ndeshjes, tifozët rumunë nisën thirrje raciste anti-Kosovë.

Kjo bëri që futbollistët dardanë ta braktisin fushën dhe të mos ktheheshin më teksa rezultati ishte 0:0. Gjyqtari pas më shumë se një ore i dha fund ndeshjes, derisa vendimin pritet ta marrë UEFA.

Në një intervistë për “Fanatik.ro”, Dragomir e teproi me opinionin e tij. Iu bashkua “korit” të rumunëve se Kosova kishte planifikuar ta lëshonte fushën.

“Mendimi im është se gjithçka ishte e paramenduar, e llogaritur. Nëse nuk kualifikoheshin në fushë dhe nuk fitonin në fushë për të zënë vendin e parë, do të dilnin nga fusha. Në një botë moderne nuk mund ta bësh këtë. Para 50 mijë njerëzve, që ishin shumë të qytetëruar, as që e prisja. Në krahasim me lojën e tyre në Kosovë, ne u ofenduam në çdo mënyrë. Mendimi im është se ky akt është nga njerëz të egër! Duhet dënim shumë i rëndë, jo vetëm 3-0! Duhet të përjashtohen pesë vjet nga garat evropiane”, ka thënë ai.

Për politikanin, ndryshe nga ajo që u pa, sjellja e tifozëve rumunë ishte shembullore.

“Më kanë pëlqyer shikuesit në tribuna. Nuk ka pasur thirrje, po shikoja televizor dhe nuk dëgjoja asgjë. Kosovarët jo vetëm që e bënë veten për t’u qeshur, por lanë një përshtypje të mjerueshme në shoqëri. Do të thotë se janë prapa. Një gjë e tillë nuk është e mundur. Epo, bota po zhvillohet, vëllai im! Nuk mund të rrish duke menduar si i egër”, ka deklaruar ai.

Powered by WordPress