Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Politika suedeze e migracionit si model?

Politika suedeze e migracionit si model?

Kreu i CDU-së, Friedrich Merz është një adhurues i politikave daneze dhe suedeze të migracionit. Këto vende dinë të zgjidhin problemet, thotë Merz.

Nuk është e pazakonshme që njerëzit në Gjermanitë tregojnë shpesh me gisht në drejtim të Skandinavisë si një shembull të mirë. Vendet nordike gjoja dinë gjithmonë si t’i bëjnë gjërat më mirë: të drejta të barabarta, shërbim ushtarak ose digjitalizim. Politikat strikte të migracionit të kontestuara më parë të Danimarkës dhe Suedisë tani janë bërë një model për shumë njerëz dhe politikanë edhe në Gjermani.

Kreu i CDU-së, Friedrich Merz tha së fundmi se Suedia po arrin të zgjidhë mirë problemet në politikën e migracionit. Për qeverinë e pakicës suedeze, e cila punon ngushtë me populistët e krahut të djathtë, kjo sigurisht që është një gjë e mirë për veshët e tyre.

Pas gati dy vitesh në pushtet, puna politike po jep frytet e saj, theksoi në fillim të gushtit ministrja për Migracionin, Marija Malmer Stenergaard, nga radhët e konservatorëve të moderuar. Më pas ajo shpjegoi: “Numri i kërkesave për azil është në nivel historikisht të ulët, më pak leje qëndrimi jepen për azilkërkuesit. Dhe për herë të parë në 50 vjetët e fundit, më shumë njerëz po largohen nga vendi sesa vijnë këtu”.

Suedia si vend emigracioni?

Por pretendimi se Suedia është tani një vend emigracioni vihet në pikëpyetje nga Agjencia Suedeze e Statistikave. Zyrtarët i thanë televizionit ARD në Stokholm se shifrat janë historikisht të larta, sepse regjistri i popullsisë është pastruar dhe strukturuar.

Personat që mund të kenë emigruar kohë më parë, tani janë fshirë zyrtarisht nga regjistri i banorëve të këtij vendi. Në realitet, ndoshta më shumë njerëz vijnë në Suedi sesa largohen nga ajo, por në lista duket ndryshe.

Shërbimi për shtyp i ministrit të Migracionit, megjithatë tregon një rritje të ndjeshme të emigracionit vitin e kaluar. Rritja sërish në fillim të vitit 2024 nuk mund të shpjegohet vetëm me pastrimin e regjistrit të popullsisë, thonë nga ky shërbim dhe theksojnë se Suedia ka shënuar rënie të ndjeshme të kërkesave për azil vitet e fundit.

Gjërat dukeshin krejtësisht ndryshe në vitin 2015, kur Suedia priti numrin më të madh të refugjatëve në Evropë. Por qeveria e atëhershme kuq-gjelbër e ashpërsoi shpejt politikën e azilit: Nuk kishte më lëshime të lejeve të përhershme të qëndrimit, ndërsa procesi i bashkimit familjar u vështirësua.

Në të njëjtën kohë, kontrollet kufitare në Austri, Gjermani dhe Danimarkë janë forcuar, duke e bërë kështu rrugën për në Suedi më të komplikuar për refugjatët.

Akomodoni sa më pak njerëz

Reputacioni i Suedisë në mesin e emigrantëve është dëmtuar po ashtu, ndërsa imazhi i një vendi me një kulturë të madhe mikpritëse u zhduk shpejt. Djegiet e shumta të Kuranit në vend, valët e fushatave disinformuese të drejtuara kundër njerëzve të besimit mysliman, janë faktorë që e bëjnë Suedinë po ashtu jo tërheqëse për refugjatët.

Edhe sinjalet e qeverisë aktuale janë shumë të qarta – duam të vijnë sa më pak njerëz. Politika mikpritëse e migracionit e Suedisë është ka ndryshuar tanimë. Por arsyet e rënies së emigracionit në Suedi mendohet të jenë të ndryshme. Pra nuk mund të thuash thjesht “në veri gjendja është nën kontroll”.

Powered by WordPress