Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Politika pa “utopi”

Politika pa “utopi”

Shkruan: Afrim Kasolli

Një nga synimet teorike të sociologjisë së njohjes mbetet të kuptuarit e atyre formave të mendimit që janë produkt i situatave, gjendjeve dhe kushteve sociale. Kjo detyrë e dallon këtë disiplinë nga epistemologjia, psikologjia, dhe “psikogjenetika” e mendimit. Sepse, objekt i saj, nuk janë format “intime” të mendimit, apo kriteret epistemike të subjektit njohës të shkëputur nga proceset sociale, as të vërtetat e përjetshme metafizike, por strukturat mentale të grupit, partive politike, dhe mënyra se si reflektohen ato në sjelljen dhe veprimet e individëve.

Me këtë rast një vend qendror në këto hulumtime e zë edhe raporti dinamik ndërmjet “ideologjisë dhe utopisë”. Kjo temë e përbën edhe subjektin qendror të librit “Ideology and Utopia- An Intruduction to the Sociology of Knowledge” të sociologut të njohur, Karl Manheim. Pra ky proces dialektik e përshkruan arkitekturën e këtij libri.

Sipas K. Mahheim-it, që edhe konsiderohet njëri nga studiuesit më meritor në estabilishimin e kësaj disipline njohëse, koncepti i ideologjisë reflekton atë zbulim që derivon nga konfliktet politike kur mënyra e të menduarit të grupeve sunduese kapërthehet aq shumë nga situatat sociale sa që ato thjesht nuk janë në gjendje t’i shohin disa fakte të cilat e minojnë sensin e tyre të dominimit. Pra në mënyrë implicite nocioni “ideologjisë” e pasqyron atë realitet ku “pavetëdijshmja kolektive”, i mbulon kushtet reale sociale si për vetveten ashtu edhe për të tjerët më qëllim që t’i stabilizoj ato.

Ndërkohë, e kundërt me këtë funksion të ideologjisë është utopia. Ndonëse, edhe kjo formë e mendimit nuk është se nuk vuan nga disa mangësi, megjithatë gjatë betejës politike disa struktura sociale, nëpërmjet saj janë të interesuara “intelektualisht” në transformimin kushteve të dhëna sociale.

Është e vërtetë, thotë Menheim, se mendimi i tyre nuk është në gjendje ta diagnostifikoj në mënyrë korrekte realitetin ashtu siç është. Mbartësit e mendimit utopik nuk janë të preokupuar plotësisht se si realiteti ekziston, por më shumë me anë të mendimit të tyre utopik, ata kërkojnë vetëm ta ndryshojnë situatën. Ky mendim më shumë shërben si guidë për aksion. Nuk ka dyshim, se edhe brenda skemës së mendimit utopik, e “pavetëdijshmja kolektive”, e cila drejtohet nga një dëshirë për përfaqësim dhe vullnet për aksion, mbulohen disa aspekte të realitetit, por në saje të këtij veprimi kolektiv, kjo formë e mendimit ia del të demaskoj pretendimet e mendimit ideologjik, që ta stabilizoj një gjendje soci-politike, sipas interesave të atyre që e dominojnë.

Mjerisht, politika pa “utopi” ka qenë një nga defektet kryesore me të cilën është përballur Kosova qe një kohë të gjatë. Prandaj, “ndryshimet” kanë sherbyer vetëm si maskë për ta legjitimuar të njëjtin model politik. Kjo vorbull “jo dialektike” ka rrezik te vazhdoje deri në “infinit”,,,,,,,,,,/tvarbëria/