Shkruan: Afrim Kasolli
Jemi mësuar vazhdimisht që ta kritikojmë politikën duale të Serbisë edhe me BE-në edhe me Rusinë. Se e njëjta po e trajton të parën në bankomat financiar nën emrin e integrimeve evropiane, por që në anën tjetër e ka shndërruar veten në trampolinë të planeve subversive të Kremlinit.
Pa hyrë shumë në detaje mund të merret vetëm disa nga rastet e fundit. Para pak kohe, i madh i vogël nga Brukseli, e patën paralajmëruar presidentin serb, Alekasandër Vuqic , për pasoja serioze nëse merr pjesë në paradën e 9 majit në Moskë, krahas liderit rus, Vladimir Putin dhe drejtueseve tjerë autokratik që kanë për qëllim minimin rendit ndërkombëtar.
Mirëpo, këto pasoja jo vetëm që nuk ndodhen, por shefja e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, Kaja Kallas, kur u sfidua në Prishtinë pas vizitës në Beograd, për shpërfilljen e parimeve të politikës së jashtme të Unionit, u mjaftua me një përgjigje të vagullt se lideri serb e ka informuar atë për pozicionin e tij politik.
E njëjta qasje është duke e karakterizuar edhe stërvitjen e përbashkët ushtarake ndërmjet ushtrisë serbe dhe asaj kineze. Një akt ky që e thellon bashkëpunimin ushtarak ndërmjet këtyre dy vendeve. Madje siç shkruan, mediumi Evropa e Lirë, Serbia bëhet vendi i vetëm kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që zhvillon stërvitje të tilla me Kinën.
Por edhe në këtë rast BE-ja nuk ka harruar ta kritikojë Beogradin se kjo politikë “bie ndesh me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme”. Dhe se blloku “dëshiron të mbështetet te Serbia si një partnere e besueshme evropiane, për parime dhe vlera të përbashkëta e cila duhet ta bind Brukselin për orientimin e saj strategjik” .
Megjithatë, mbase mund të shtrohet pyetja, se a është pikërisht kjo qasje duale e Brukselit në raport me Beogradin e cila fillimisht hedh kritika ndaj këtij të fundit për veprimet e tij anti-BE, por pa kaluar shumë kohë bëhet sikur nuk ka ndodhur asgjë, që ia ka krijuar këtij të fundit këtë luks gjeopolitik. E që të ketë sa më tepër përfitime nga orientimi multilateral edhe me Brukselin edhe me Moskën edhe me Teheranin edhe me Pekinin etj.