Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Policia thotë se po bashkëpunon me institucionet e sigurisë për parandalimin e akteve kriminale

Policia thotë se po bashkëpunon me institucionet e sigurisë për parandalimin e akteve kriminale

Policia e Kosovës ka thënë se është duke bashkëpunuar me institucionet relevante të sigurisë për parandalimin e akteve kriminale të cilat po organizohen nga persona brenda dhe jashtë territorit të Kosovës.Policia poashtu ka thënë se do të ndërmerren masa ligjore për ruajtjen e sigurisë dhe lëvizjes së qytetarëve.

“Edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara në veri të vendit, Policia e Kosovës po angazhohet me të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime, si dhe të punojë në parandalimin e akteve kriminale, të cilat po organizohen nga persona të përfshirë në grupe kriminale të organizuara nga brenda dhe jashtë Kosovës. Në këtë drejtim, bazuar në informacionet që posedon, Policia e Kosovës po bashkëpunon ngusht me institucionet relevante të sigurisë, në ndërmarrjen e masave të nevojshme ligjore, në interes të ruajtjes së rendit kushtetues të RKS-së, mundësimit të lëvizjes së lirë dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar”, thuhet në komunikatë.

Sa i përket sigurisë, Policia ka thënë situata vazhdon të jetë e njëjtë, ndërsa ka theksuar se janë të vendosura 9 barrikada.

“Që nga vendosja e nëntë (9) barrikadave nga persona/grupe kriminale, situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, ku si pasojë e këtyre barrikadave dy pikat kufitare “Jarinje” dhe “Bërnjak” ende mbesin të mbyllura për qarkullim.Referuar situatës së krijuar, bllokimit të rrugëve, e rasteve/sulmeve të ndodhura nga grupet kriminale, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës e po ashtu kanë ndikuar edhe në jetën e qytetarëve të asaj zone, të cilët nuk po mund të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk po e kanë qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme”, thuhet në komunikatë.   /TV Arbëria

Powered by WordPress