Të premten pak para mesnate, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të njoftonte për një konferencë për media, e cila mbahet sot nga ora 11:00. Krejt kjo, pasi edhe një person i burgosur ka ikur nga burgu i Dubravës, këtë herë. Çka deklaroi ministri Xhelal Sveçla pak orë para këtij rasti?
Një person tjetër ka ikur nga burgu të premtën e 12 korrikut. Në lidhje me këtë, Shërbimi Korrektues i Kosovës njoftoi si vijon:
“Ju ftojmë të merrni pjesë në konferencën për media, e cila do të mbahet në Drejtorinë Qendrore të Shërbimit Korrektues të Kosovës, nesër më 13 korrik 2024, në orën 11:00, për të diskutuar lidhur me dy largimet e fundit nga institucionet e tipit të hapur”.
Të pranishëm pritet të jenë zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, dhe Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani.
Para pak ditësh, nga burgu iku edhe Faton Hajrizi, i cili ende është i pakapshëm për institucionet e drejtësisë, derisa është parë “live” nëpër rrjete sociale si Tik Tok.
Drejtësisë i kanë ikur edhe Enver Sekiraqa dhe Marko Roshiq.
Çka tha Sveçla për këto zhvillime?
Pikërisht mbi këto zhvillime u pyet Sveçla pasditen e së premteës, ku dha një deklaratë goxha të çuditshme.
Ministri i Punëve të Brendshme, e konsideroi si të arratisur vetëm Faton Hajrizin, por jo edhe Enver Sekiraqën e Marko Roshiqin.
“Unë nuk e kapi askënd, janë institucionet që mirren me ta.” – tha ai për “Dukagjinin”.
Sipas tij, nuk janë tre të arratisur por vetëm një. Madje, ministri u duk që siguroi se nuk ka ndonjë telash, pasi sipas tij, Policia e Kosovës po kryen punën e saj.
“Nuk janë tre persona të arratisur, një është arratisur. Tjerët nuk janë paraqitur para drejtësisë kur është kërku prej tyre. Policia e kryen punën e vet. Nuk ka najfar telashe.” – ka thënë ai.
Vlen të theksohet se para një jave, Faton Hajrizi u largua nga Qendra e Burgimit në Smrekonicë.
Hajrizi është arratisur nëntë herë nga burgjet e Kosovës, së fundmi ai ka folur edhe për ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pasi ky i fundit kishte thënë se është çështje orësh kur ai arrestohet.
“E pyes Sveçlën, ke punu në furrë a si është puna se i kishe do orë të furrigjisë. Nuk mundesh me me kapë ti mu, kurrë s’mundesh me me kap, o ministër i punëve të kota. Ata të cilët me kishin kap edhe me marrëveshje janë në Hagë atje, që ja kisha ngu hatrin, jo lepurushat e Vetëvendosjes, ju njohim mirë kush jeni.” – ka deklaruar Hajrizi nga arratia.