Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Policia në Pejë gjen armë e granata – arreston një të dyshuar për të shtëna në ajër

Policia në Pejë gjen armë e granata – arreston një të dyshuar për të shtëna në ajër

Policia e Kosovës në rajonin e Pejës, ka gjetur dhe sekuestruar armë e municion të ndryshëm.

Sipas raportit 24-orësh, të mërkurën rreth orës 16:45, është raportuar për disa armë dhe mjete të dyshimta, duke përfshirë mjete shpërthyese dhe municion.

“Lidhur me rastin, njësia policore ka siguruar vendin e ngjarjes, ku gjatë kontrollit të vendit të ngjarjes janë gjetur: një armë AK47, dy mitraloza të lehtë, një pushkë përsëritëse, 5 granata dore, 7 karikatorë dhe rreth 510 fishekë. Armët dhe municioni i gjetur janë tërhequr nga njësiti i FSK-së për shkatërrim”, ka njoftuar Policia.

Ndërkaq, në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe mbetet në hetime.

Në një rast tjetër të ndodhur në Deçan, rast ky i cilësuar si “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve & përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, Policia në raportin e fundit 24-orësh ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar.

Sipas Policisë, i dyshuari ishte parë në një video duke shtënë me armë zjarri në ajër.

“Deçan / 17.08.2026 – 13:00. Lidhur me rastin është identifikuar i dyshuari mashkull kosovar i cili përmes një video incizimi shihet duke shtënë me armë zjarri në ajër. Pas një kontrolli nga shtëpia e të dyshuarit është sekuestruar një armë zjarri AK 47 me një karikator të zbrazët. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti në procedurë hetimore”, u tha në njoftimin e Policisë.