Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Policia në Gjakovë nis fushatën “Siguria e nxënësve në rrugë” me ligjërata dhe aktivitete praktike

Policia në Gjakovë nis fushatën “Siguria e nxënësve në rrugë” me ligjërata dhe aktivitete praktike

Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë ka filluar zbatimin e planit operativ “Siguria e nxënësve në rrugë”, që synon rritjen e vetëdijes dhe sigurisë së fëmijëve në trafik, veçanërisht në zonat pranë shkollave.

Në kuadër të këtij plani, përveç patrullimeve dhe pikave të kontrollit, zyrtarët policorë kanë filluar të mbajnë ligjërata teorike për rregullat e komunikacionit dhe rëndësinë e sigurisë rrugore, si dhe aktivitete praktike me nxënësit në terren.

Nxënësit kanë pasur mundësinë të marrin pjesë në pika kontrolli, ku janë njohur nga afër me punën e policisë dhe demonstrimet praktike të menaxhimit të trafikut, me qëllim të rritjes së vetëdijes së tyre për rregullat dhe sjelljen e sigurt në rrugë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se aktivitete të tilla do të zhvillohen rregullisht, si pjesë e angazhimit për të mbrojtur jetën e nxënësve dhe për të parandaluar aksidentet në afërsi të institucioneve arsimore.