Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Policia Kosovës e bënë “verë në dimër”

Policia Kosovës e bënë “verë në dimër”

Sipas legjislacionit në fuqi të gjithë vozitësit e makinave në Republikën e Kosovës janë të obliguar që t’i ndërrojnë gomat e verës me ato të dimrit, nga data 15 nëntor deri me 15 mars.

Kushdo që nuk e përfill këtë obligim sanksionohet sipas normave ligjore. Mirëpo, duket se i njëjti rregull nuk vlen për një pjesë të veturave të Policinë e Kosovës, e cila përndryshe e ka për obligim t’i gjobisë ata që nuk veprojnë në pajtim me këto kushte të sigurisë në komunikacion.

Se një pjese e veturave të Policisë së Kosovës, nuk janë pajisur me goma të  dimrit e ka pranuar për mediumin Tv Arbëria edhe Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës Ymer Zeqiri. Sipas Zeqirit kjo ka “ndodhur për shkak të vonesave të kontraktorit dhe vonesave në procedurat e prokurimit. Por që sipas tij, tashmë kontingjenti tjetër i gomave të dimrit është duke ardhur dhe së shpejti të gjitha varturave të policisë do t’u ndërrohen gomat”. Mirëpo i njëjti e ka mohuar se ato vetura që nuk kanë pasur goma të dimrit kanë qenë në qarkullim.

Ndërkohë, Zyra për Informim e Policisë së Kosovës lidhur me këtë çështje, në një përgjigje me shkrim për TV Arbëria deklaruan se “Policia e Kosovës me kohë bënë planifikimet për çështje logjistike, përfshirë edhe pajisjen për goma me vetura. Policia e Kosovës furnizohet me goma nga një kontratë e centralizuar e nënshkruar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit dhe për çdo vështirësi në implementimin të kësaj kontrate është njoftuar Agjencia Qendrore e Prokurimit”, ka përfunduar në përgjigjen e saj Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Video e plotë:

/TV Arbëria