Një person i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar, në përpjekje për të ikur nga policia, ra mbrëmë nga një ndërtesë në Lagjen e Spitalit në Prishtinë.
I njëjti është dërguar në QKUK dhe atje është nën mbikëqyrje policore.
Policia ka bërë të ditur se ka kontrolluar banesën e të dyshuarit. Atje ka gjetur një sasi të konsiderueshme të substancave narkotike, para të gatshme, një këllëf të armës e karikator.
“Njësitë policore gjatë kontrollit në banesën ku banonte i dyshuari mashkull kosovar, i cili kishte urdhër arrest lidhur me një rast vrasje që ka ndodhur më 26.03.2025, kanë gjetur dhe sekuestruar: një sasi prej 6 kilogramë e 172.6 gramë substancë e dyshuar narkotike të llojit marihuanë, 38.3 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, 0.9 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit tusi, 0.4 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit ekstazi, një peshore digjitale, një karikator, një këllëf i armës, para në vlerë 1000 euro, 20 franga, 110 denarë të Maqedonisë së Veriut, dhe 50 dinarë serb. Po ashtu në cilësi të provës është sekuestruar edhe një telefon mobil”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në konsultim me prokurorin, pasi i dyshuari gjendet në trajtim mjekësor në QKUK lidhur me një rast vrasje rasti procedohet me procedurë të rregullt.