Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Ata shpesh kapen në flagrancë me armë të ftohta e mjete të tjera të rrezikshme.
Një rast i tillë është zbuluar në fshatin Gumnishtë të Gjilanit, ku Policia ka arritur ta kap një person që dyshohet se sillej me një kallashnikov në veturë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 65-vjeçar, te i cili Policia gjeti një AK-47, pasi iu vu në ndjekje, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Arma që e mbante pa leje u sekuestrua bashkë me fishekët, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“
/TV Arbëria