Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Policia gjermane: I dyshuari për sulmin në festival u dorëzua dhe e pranoi krimin

Policia gjermane: I dyshuari për sulmin në festival u dorëzua dhe e pranoi krimin

Policia gjermane tha mëngjesin e së dielës se një burrë 26-vjeçar është dorëzuar në polici dhe e ka pranuar se është dorasi i sulmit vdekjeprurës me thikë në një festival për shënimin e 650-vjetorit të qytetit Solingen në perëndim të vendit.

I dyshuari për vrasjen e tre njerëzve dhe plagosjen e tetë të tjerëve të premten, u dorëzua dhe e pranoi krimin, thanë policia dhe prokuroria e Dyseldorfit në një komunikatë të përbashkët.

“Përfshirja e këtij personi është duke u hetuar intensivisht”, thuhet në komunikatë.

Sulmi, për të cilin e mori përgjegjësinë Shteti Islamik, ndodhi të premten në mbrëmje në festivalin ku po shënohej 659-vjetori i qytetit.

I dyshuari është i lidhur me një shtëpi të refugjatëve në Solingen, e cila u bastis nga policia të shtunën, thanë autoritetet.

Shteti Islamik (IS)e përshkroi e përshkroi burrin që e kreu sulmin si një “ushtar i Shtetit Islamik” në një komunikatë të publikuar të shtunën në Telegram.

IS nuk dha dëshmi për ta mbështetur pretendimin e vet. Nuk është e qartë se çfarë lidhjesh mund të ketë pasur sulmuesi me Shtetin Islamik.

Të shtunën, autoritetet e arrestuan një 15-vjeçar nën dyshimin se ai ishte në dijeni për sulmin e planifikuar dhe nuk i kishte njoftuar autoritetet. Policia tha se 15-vjeçari nuk është dorasi.

Markus Caspers, prokuror nga zyra e prokurorisë publike në Dyseldorf, tha të shtunën pasdite në një konferencë se “terrorizmi” nuk mund të përjashtohet nga ky rast, sepse nuk ka motive të tjera dhe sepse viktimat nuk kanë lidhje mes vete.

Sulmi ndodhi të premten pas orës 21:00 kur sulmuesi i theri me thikë disa persona në një shesh në qendër të qytetit.

“Festivali i Shumëllojshmërisë”, i cili shënon përvjetorin e 650-të të qytetit, nisi të premten dhe duhej të mbahej deri të dielën.

Solingeni i ka rreth 160.000 banorë dhe ndodhet afër qyteteve të mëdha Këln dhe Dyseldorf. /REL/

Powered by WordPress