Policia e Kosovës ende nuk ka hapur një konkurs të ri për gradimin në gradën rreshter, pasi procesi i mëparshëm u anulua pas rekomandimeve të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Në korrik të vitit 2024, IPK kishte publikuar një raport inspektimi, ku evidentonte lëshime në procesin e gradimit dhe rekomandonte ndërhyrje për të shmangur çfarëdo parregullsie. Bazuar në këto gjetje, Policia e Kosovës vendosi ta kthejë procesin në pikën zero dhe ta anulojë konkursin e shpallur më 12 shkurt 2024.
Megjithatë, edhe pse policia ka deklaruar se do të bëjë rishikimin e procedurave dhe përgatitjet administrative për të vijuar me një konkurs të ri, deri më tani nuk ka një afat të caktuar për rinisjen e procesit.
IndeksOnline ka pyetur Policinë e Kosovës përkitazi me këtë proces ku thuhet se është duke punuar në plotësim ndryshimin e akteve të brendshme në këtë fushë.
“Policia e Kosovës bazuar në Planin e Punës e ka të parapare mbajtjen e proceseve të gradimit për zyrtar policor varësisht nga nevojat e policisë për staf të graduar. Momentalisht PK është duke punuar në plotësim ndryshimin e akteve te brendshme ne ketë fushë. Lidhur me anulimin e konkursit ne fjale mund te ju referoheni komunikatës publike te lëshuar nga PK ne atë kohë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Ndërkohë, një numër i madh i zyrtarëve policorë që presin gradimin mbeten në pritje.
Mbetet të shihet se kur Policia e Kosovës do të hapë një procedurë të re, duke u bazuar në përmirësimet e kërkuara nga IPK.