Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Policia e Malit të Zi: Janë identifikuar tre sulmuesit e shtetasve shqiptarë

Policia e Malit të Zi: Janë identifikuar tre sulmuesit e shtetasve shqiptarë

Policia e Malit të Zi tregon se identifikuar tre persona të dyshuar, të cilët sulmuan tre shtetasit shqiptarë në rrugën kryesore të qytetit të Zelenikës.

Dyshohet se shkak i ngjarjes ka qenë një sherr në trafik, por pa dhënë detaje të tjera shtesë.

“Në orët e pasdites të së shtunës, përmes telefonit është raportuar në shërbimin kujdestar të Departamentit të Sigurisë Herceg Novi se në rrugën kryesore në qytetin e Zelenikës ka ndodhur shkelje e rendit dhe qetësisë publike nga disa persona të panjohur. Policia dhe efektivët janë dërguar në vendngjarje ku kanë konstatuar tre persona, të gjithë shtetas shqiptarë, të cilët kanë pasur lëndime të dukshme, të cilët më pas janë drejtuar për të kërkuar ndihmë mjekësore. Policët kanë ndërmarrë veprime në kuadër të juridiksionit të tyre për të përcaktuar të gjitha rrethanat në të cilat persona të lënduar, dhe për të ndriçuar ngjarjen”, thuhet në njoftimin e Policisë, që ka thënë se janë marrë pamjet e kamerave nga objektet pranë. “Për ngjarjen është njoftuar prokurori kompetent, që do të bëjë kualifikimin ligjor dhe do të merren masat”.

Sipas mediave, tre persona nga Herceg Novi dyshohen si autorë të sulmit fizik.

Shqiptarët që ranë pre e dhunës janë Klodian Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaci. Ata kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar dhe dhunuar nga agresorët të cilëve deri më tani nuk u është zbuluar identiteti.

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, në një postim në platformën “X” ka shprehur keqardhje për ngjarjen.

“Më vjen shumë keq për ngjarjet e sotme që u ndodhën mysafirëve tanë të dashur nga Shqipëria. Theksoj se Mali i Zi duhet dhe do të jetë oazë paqeje dhe sigurie për të gjithë. Mendja jonë është me personat e prekur dhe po punojmë për t’u ofruar të gjithëve sigurinë dhe mikpritjen që e meritojnë”, ka thënë Spajiq të shtunën mbrëma, ndërsa kishte treguar se është identifikuar një nga autorët.

E ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, ka falënderuar Malin e Zi për reagimin e shpejt.

“Jam shumë falënderues për reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe të Policisë së malit të Zi në lidhje me dhunën që ndodhi ndaj tre shqiptarëve të rinj sot në Herceg Novi. Një hetim i plotë po ndërmerret dhe personat prapa këtij akti do të mbahen përgjegjës”, ka shkruar Balla.

Themes by WordPress