Me një operacion policor, autoritetet kosovare mbyllën në veri të Kosovës gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës së Serbisë, duke nxitur kështu reagime të autoriteteve ndërkombëtare dhe atyre të Serbisë. Banka Postare Kursimore e Serbisë shpërndanë pagesat e Beogradit për qytetarët serbë në Kosovë, transmeton DW.
Konfiskohen miliona euro, dinarë…
Policia tha se operacioni në katër komuna në veri kishte të bënte “me vendosjen e rendit dhe ligjshmërisë”. “në këto lokacione u gjetën rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinarë serbë, rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë, rreth 40 dollarë australianë”, tha në një njoftim policia. Sipas tyre aksioni u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, nga inteligjenca financiare, Banka Qendrore si dhe Administrata Tatimore e Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla njoftoi në rrjetet sociale se “sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi”.
Aksionin policor në veri dhe mbylljen e gjashtë degëve të Bankës Kursimore të Postës së Serbisë e dënuan ashpër autoritetet në Beograd, të cilët i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që Kosova të ndalë veprimet që “kërcënojnë mbijetesën e serbëve në Kosovë”.
“Një akt tjetër të dhunshëm i shfuqizimit të institucioneve serbe në veri dhe dëbimit të popullit serb. Albin Kurti dëshiron luftë dhe vuajtje për popullin serb, sepse çdo gjë që bën në muajt e fundit, e bën ekskluzivisht me qëllim të dëbimit të serbëve nga territori i Kosovës”, tha shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Kosova veproi pa koordinim
Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se veprimi i autoriteteve kosovare në veri nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe se ai “përshkallëzon tensionet dhe minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve ndërmjet saj dhe Serbisë përmesdialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet adresojë nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë ato të pakicës serbe e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, thuhet në reagimin e DASH.
Operacioni i policisë së Kosovës në katër komunat në veri të vendit ky u mbyllën gjashtë degë të Bankës Kursimore të Postës së Serbisë, ndodhi disa muaj pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Bankës Qendrore, e cila e përcakton Euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë, duke e ndaluar kështu në mënyrë automatike dinarin e Serbisë.
Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë janë takuar disa herë në Bruksel për çështjen e dinarit, por nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje. Autoritetet ndërkombëtare vazhdimisht i bëjnë thirrje Kosovës që ta pezullojë rregulloren e BQK-së, dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re.