Në kuadër të aktiviteteve të rregullta për bashkëpunim ndërinstitucional, Komandanti i Stacionit Policor “Veriu” në Prishtinë, Kapiten Faton Shala, së bashku me stafin komandues, ka zhvilluar një takim pune me drejtorët e shkollave fillore dhe zyrtarë komunalë të Kryeqytetit.
Gjatë takimit, u diskutua gjerësisht për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe institucioneve arsimore, me fokus të veçantë në: Parandalimin e incidenteve në ambientet shkollore, Rritjen e sigurisë për nxënësit dhe stafin arsimor, si dhe Mbrojtjen e mjedisit dhe rendit në hapësirat shkollore.
Ky aktivitet vjen si pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të Policisë së Kosovës për të siguruar një ambient të sigurt e të qetë për komunitetin shkollor, dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve për parandalimin e dukurive negative tek të rinjtë.
Policia e Kosovës do të vazhdojë me aktivitete të tilla në të gjitha komunat e vendit, duke forcuar partneritetin me institucionet arsimore dhe komunitetin lokal në shërbim të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.