Për shkak të reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë vendin, Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në trafik. Në një njoftim të publikuar në Facebook, Policia u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, veçanërisht shoferëve të automjeteve, që të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugëve.
Në njoftim theksohet nevoja për mbajtje të distancës mes automjeteve, rritje të kujdesit gjatë ngasjes në rrugë të lagura si dhe shmangien e lëvizjes së shpejtë në zona të mbuluara me ujë, për të parandaluar aksidentet dhe situatat e rrezikshme.
Policia u bën thirrje qytetarëve që të jenë të vëmendshëm dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit, me qëllim të sigurisë së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në trafik.